
DUBAI- Forcat e Repartit të Neutralizimit të Elementëve të Armatosur, të njohur ndryshe si RENEA, aktualisht janë në Emiratët e Bashkuara Arabe. Jo, nuk janë në Dubai për të zhvilluar ndonjë mega-aksion për të kapur të shumëkërkuarit shqiptarë që po strehohen atje. Janë për një arsye krejt tjetër. 6 efektivë janë bërë pjesë e konkursit “SëAT challange” për të treguar aftësitë e tyre. Aktualisht, atje është zhvilluar faza e parë e testimit, ajo e garës teknike, ku në garë marrin pjesë 73 forca speciale nga e gjithë bota.
Forcat RENEA, ashtu si dhe forcat e tjera, do të testohen në 5 kategori të ndryshme, konkretisht: gara taktike, kursi i pengesave, shpëtimi i oficerëve, sfida e kullës dhe gara e sulmit. Skuadra e vendit të parë do të marrë 80,000 USD, 40,000 USD janë të dedikuara për vendin e dytë, 30,000 USD për vendin e tretë. E kështu shuma është në rënie për të gjithë vendet e tjera.
VIDEOJA NGA STËRVITJA:
Por edhe pse janë afër, forcat RENEA nuk u afrohen dot të shumëkërkuarve që ndodhen në Dubai. Dubai është shndëruar si parajsa e personave në kërkim nga autoritetet shqiptare. Kjo pasi vendi nuk ka ende një marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë. Si pasojë, atje kanë gjetur strehë shumë nga personazhet më të njohur të botës së krimit, si: Eldi Dizdari, Plarent Dervishaj, etj. /ZËRI