TIRANË- Byroja Kombëtare e Hetimit ka ushtruar kontrolle ditën e sotme në bizneset e Klajdi Merkaj, i cili është i arrestuar si i akuzuar për pastrimin e parave të grupit Çopja. Po për akuzën e pastrimit të paraave, është ushtruar kontroll në bizneset e tij me urdhër të SPAK në vjim të hetimeve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë dhe Informacionit (AKSHI). Dyshohet se përmes bizneseve të Merkajt janë pastruar milionat e marra nga AKSHI-t.
Klajdi Merkaj u arrestua më 16 tetor të këtij viti, pasi akuzohet se pastronte paratë e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja. Ndaj tij Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, lidhur me aksionin e sotëm janë lëshuar 8 masa sigurie. Masa arrest me burg për Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, ndërsa masa arrest shtëpie për Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashi. Pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit Erion Ismaili. Ndalim për të dalë jashtë vendit: Andis Papa, Gëzim Hoxha, Rogers Rryta.
Hetimet e SPAK dyshohet se përfshijnë rreth 12 procedura tenderimi, ku ekzistojnë indicie se gara është manipuluar për të favorizuar subjekte të caktuara ekonomike, në kundërshtim me ligjin dhe parimet e konkurrencës së ndershme. Operacioni konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të SPAK në sektorin e prokurimeve publike dhe teknologjisë së informacionit, ndërsa hetimet pritet të thellohen edhe ndaj personave të tjerë, përfshirë zyrtarë dhe përfaqësues biznesesh./ZËRI