
TIRANË- Vetëm një foto ka mjaftuar për të verifikimin e kanalit të Behar Bajrit në rrjetin "SkyECC". Fotoja e shkrepur nga ai, brenda një mjeti të blinduar, nën shoqërinë e Kristjan Kokajt ka mjaftuar për të vërtetuar se ai mbante kodin "9E6STL". Këtë foto, Bajri ia kishte dërguar ish-kryeprokurorit të Kukësit, Xhevahir Litës. Gazetari Elton Qyno shkruan për "OraNews" se "i forti i Shkodrës" udhëtonte me Kristjan Kokaj, djalin e Gasper Kokaj, që është njëherësh Dekani i Fakultetit Juridik në Shkodër dhe pronari i televizionit “Rozafa”.
Po ashtu, edhe Xhevahir Lita ka pranuar se dy kodet “TIV9E3” dhe “9E6STL”, janë përdorur nga i forti i Shkodrës Behar Brajoviç alias Bajri.
Xhevahir Lita në 15 dhjetor 2023 ndër të tjera ka deklaruar:...lidhur me aplikacionin Sky ECC, për të cilin kam mësuar pasi kam lexuar vendimin dhe kam marrë më tepër informacion nga media tani që ndodhem në paraburgim do ju sqaroj gjithçka, pasi bisedat e zhvilluara të pasqyruara në vendimin e gjykatës datë 23 korrik 2023, janë biseda që i kam zhvilluar unë...". ."...Paraprakisht dua të sqaroj se Behar Brajoviq-it, Pëllumb Gjoka i thirrte me nofkën "Daci" dhe në biseda i jemi referuar me "Daci" pa ja përmendur emrin. Pasi Behari Brajoviq është liruar nga paraburgimi, më ka kontaktuar në aplikacion ku flisja me Pëllumb Gjokën. Me Behar Bajrin kam komunikuar në aplikacion dhe kemi zhvilluar biseda si dhe për rastet kur Behari do u paraqiste për ekzekutimin e masës si dhe tu paraqiste gjatë gjykimit të çështjes së tij...
Lidhur me fotot e shkrepura nga Bajri, ka folur edhe vetë Kristjan Kokaj. I pyetur sesi u ndodh në një mjet me "të fortin" e Shkodrës, Behar Bajri, Kokaj tha se ishte në dyqanin e tij të lagjes dhe se personi në fjalë e kishte thirrur për një xhiro. Gjatë xhiros për makinë, i kishte thënë se donte që të zhvillonte një takim me të atin e tij, Dekanin e Fakultetit të Drejtësisë në Shkodër.
"...në fotot ku unë jam i ulur pasagjer, foto është bërë në makinën e Behar Brajoviq, dhe foton e ka bërë Behar Brajoviq, pasi aty kam qenë vetëm unë pasagjer dhe Behar Brajoviq shofer, nuk ka patur person tjetër. Makina ka qenë një “Audi” e blinduar por targën nuk ja kujtoj. Ndërsa foto ku kam qenë i ulur në divan, mund të jetë bërë në kafene ose në shtëpinë e Behar Brajoviq nuk di të them saktë...unë nuk e kujtoj datën e saktë kur ka ndodhur kjo, por duhet të ketë disa vite. Unë mund t’ju shpjegoj lidhur me ditën kur është bërë foto, pasi nuk kam rastisur pasagjer në makinën e Behar Brajoviq përveç këtij rasti. Në ditën që është bërë foto unë kam qenë duke pirë kafe në lagjen time, pranë banesës. Aty ka kaluar Behari dhe nga makina më ka thirrur "…o nipçe hajde një here…". Kam takuar Beharin dhe më ka thënë: “…hajde bëjmë një xhiro…”. Unë kam marrë kafenë që kisha porositur dhe jam ulur në sediljen e pasme dhe kemi bërë xhiro nëpër qytet. Gjatë kohës që udhëtonim, Behari më ka treguar se deshte të takonte babanë tim, Gasper Kokaj i cili është Dekan i Fakultetit të Drejtësisë Shkodër dhe për këtë arsye më kërkoi që të telefonoja babanë që të komunikonte me Behar Brajoviq..."
Hetimet e Metamorfozës kulmuan pas përcjelljes së letërporosisë nga autoritetet franceze, ku rezultoi se në dhjetra biseda, Bajri komunikonte me të zhdukurin me Ervis Martinaj për vrasjen e Gjon Boriçit. Kjo dosje është veçuar nga ana e SPAK, sa kohë që Martinaj prej afro dy vitesh rezulton një person I zhdukur. Në përgjime rezultonte gjithashtu se Martinaj garantonte se do të eliminonte Kleanth Musabelliun për interes të Pëllumb Gjokës. Bisedat dhe provat e mbledhura nga hetimi tregojnë se Astmer Bilali me bashkëpunëtorët e tjerë tentuan dhe siguruan kushte për të vrarë Dorjan Dulin, Ibrahim Licin dhe Genc Tafilin, atentate që dështuan./ZËRI