
TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka lëshuar 9 masa sigurie për personat e përfshirë në skandalin e mashtrimit me mikrokreditë, ku janë zhvatur mijëra qytetarë. Me përjashtim të Arben Meskutit dhe Elda Ibros, pjesa tjetër e personave për të cilët është kërkuar masë sigurie, janë persona të nivelit të dytë që i kanë shërbyer klanit Ibro-Meskuti.
Kompania MCA Albania, e cila u bë simbol i një tregu spekulantësh të shit-blerjes së kredive të këqija përgjatë dekadës së fundit, në rastin nën hetim bleu gati 4 mijë kredi të pashlyera nga banka Procredit me vlerë totale prej 7.3 milionë eurosh. Ajo përdori shtrëngimin përmes bllokimit të pronave për të detyruar debitorët e falimentuar që të merrnin kredi të reja po te e njëjta kompani për të shlyer të vjetrën, duke krijuar një zinxhir zhvatës.
Praktika e bllokimit të pasurisë së paluajtëshme të një kredimarrësi kredie pa kolateral, e cila është zbatuar nga përmbarimorët, por edhe nga gjykatat, duket se bie ndesh me vetë themelin e kredimarrjes pa kolateral dhe del nga kontrata e huasë.
Në botën e bankingut, kreditë me kolateral mbartin interesa të ulëta dhe në rast se huamarrësi nuk e shlyen kredinë, kredidhënësi merr pronën e lënë në kolateral dhe e nxjerr atë në shitje për të shlyer detyrimin kontraktor. Nga ana tjetër, kreditë pa kolateral në mënyrë tipike kanë interesa shumë më të larta pikërisht për shkak se banka nuk ka garanci për shlyerjen e saj. Rrjedhimisht urdhrat e bllokimit të pasurive të kredimarrësve pa kolateral të falimentuar dukshëm bie ndesh me konceptin themelor të kredidhënies pa kolateral.
Prokurorët dyshojnë gjithashtu që llogaritjet e kamatëvonesave të debitorëve bëheshin në mënyrë mashtruese.
Masat e sigurisë të lëshuara nga Prokuroria e Tiranës:
1 - Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin Aldo Daka

2 - Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin Albert Gega.;

3 - Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin Edmond Mato;
4 - Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për shtetasen Kejda Seferi;

5 - Caktimin e masës së sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ për Elda Ibro- administratore e Micro Credit Albania

6 – Caktimin e masës së sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ për shtetasen Jorsida Dervishi.;

7 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin Arben Meskuti.;

8 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest me burg” për shtetasin Alban Kote;

9 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për shtetasen Alketa Tanushi.

/ZËRI