Factcheck

Spektakli publik me viktimat e kredive me probleme

ZËRI, pasi dëgjoi disa herë të plotë emisionin, ka nxjerrë pikat më kulmore të debatit, që sigurisht nuk zgjidhi dhe nuk doli në asnjë përfundim për të zgjidhur ndonjë problem me të cilin hasën qytetarët që ende kanë para për të paguar.

k.m.
Spektakli publik me viktimat e kredive me probleme
Foto ilustruese

TIRANË- Mbrëmë, shqiptarët ndoqën për gati 2 orë një spektakël publik që (keq)trajtoi viktimat e kredive me probleme. Në emisionin "TopStory" ishin ftuar disa persona që më shumë sesa zgjidhje, u munduan që kush e kush të mbronte Bankën e Shqipërisë më shumë, aq sa rolin e opozitarit dhe populistit duhet ta merrte me patjetër Agron Shehaj. Ky i fundit, madje ngriti zërin në një moment për të mbrojtur "nderin" e të ndjerit Pal Trashaj, i cili vrau veten për shkak të problemeve që i ishin hapur nga një borxh i vjetër në këto institucione të kredive të këqija. 

Në studio ishin, deputeti opozitar Agron Shehaj; ai socialist, Eduart Shalsi nën cilësinë e kreut të Komisionit të Ekonomisë; në lidhje LIVE, Flora Dedgjonaj, Drejtoresha e Përgjithshme e Drejtorisë Rregullatore e Çështjeve të Drejtësisë; Denis Deralla, drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë; Spiro Brumbulli, nën cilësinë e ekspertit edhe pse është sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave; Emin Barçi, ekspert dhe drejtor i ATK (Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera); Brunilda Isai, sekretare e Përgjithshme e shoqatës së mikrofinancave. Një kast yjesh, do të thuhej si term nëse do të bëhej fjalë për ndonjë film hollivudi. Por edhe mbrëmë nuk ishin keq, as me performancën dhe as me aktrimin. 

ZËRI, pasi dëgjoi disa herë të plotë emisionin, ka nxjerrë pikat më kulmore të debatit, që sigurisht nuk zgjidhi dhe nuk doli në asnjë përfundim për të zgjidhur ndonjë problem me të cilin hasën qytetarët që ende kanë para për të paguar. "Sqarimin e parë" e bëri Dëralla që sqaroi se firmat piramidale nuk kanë asgjë lidhje më atë që po ndodh sot.

"Skema e mbledhjes së kredive të këqija nuk mund të lidhet në asnjë aspekt me firmat piramidale. Nuk ka krahasim me asnjë aspekt."

Në fakt e kanë një lidhje: Mashtrimin

Nuk e themi ne, por Prokuroria e Tiranës! Nuk e themi ne, por shumë shpejt do ta thotë SPAK!

Më pas, në një moment situata u përshkallëzua dhe Shehaj ngriti tonet teksa mundohej që të mbronte (për të disatën herë) të ndjerin Pal Trashaj. 


Shehaj: Kini respekt për një qytetar që vrau veten sepse ju nuk bëtë punën tuaj. Minimalisht! Kini respekt, se vrau veten! Ju jeni këtu dhe qeshni.

Përgjigjia: Dëralla po qeshte!

Spektakli publik me viktimat e kredive me probleme
Denis Dëralla

Të tjerët gjithashtu ndërhynë në këtë debat të njëanëshëm nga ana e Shehajt, madje Barçi, si themelues i "Final" (gjithashtu pa licensë sot) e tha me plot gojën që ishte krenar për atë që kishte bërë. 

Barçi: Mos bëni fushatë dhe me këto lloj tonesh, zoti Trashaj kishte 1 vit e gjysmë që kishte mbaruar punë me kreditë.

Shehaj: Ky është themelues i Final, është nën hetim nga SPAK dhe drejtësia.

Barçi: Themelues dhe administrator, e bërtas me të madhe. Jam krenar për atë që kam bërë. 100 mijë janë dosje, nuk janë 100 mijë të mashtruar. Po thotë gënjeshtra.

Shehaj: Pal Trashaj i kishte shlyer të gjitha. Përdor llogjikën, nuk e vret njeriu veten nëse nuk i është bërë një padrejtësi. mashtruesit nuk e vrasin veten.

Dhe në fakt, në këtë pikë ka të drejtë! Me logjikë të thjeshtë, nëse një person nuk ka më asnjë detyrim për të shlyer dhe ka kryer punë me kredinë, ashtu siç po pretendohej për Trashaj, përse do të kryente aktin e vetëflijimit? Kësaj pyetjeje nuk i dhanë dot përgjigje të ftuarit në studio. 

Teksa flisnin lidhur me MCA dhe rolin e saj, Dëralla thotë një gënjeshtër...ndoshta nga mosdija, ndoshta nga dëshira për të ndryshuar të vërtetën. Sipas tij, MCA nuk ka thënë kurrë kredi, kur e vërteta ishte krejt ndryshe. MCA financonte ata që kishin kredi pa shlyer, pra merrnin para, për të mbyllur të vjetrën. Kredidhënie është edhe kjo! 

Denis Deralla: MCA ka blerë dhe ka shitur, por nuk ka dhënë mikrokredi.

Shehaj: Raporti juaj tregon se cilat produkte shet MCA. Ju vetë thoni se kreditë shumëfishohen. Si mund të thoni ju që nuk e kryen dhënien e mikrokredive? Nuk mund të gënjeni haptaz në këtë lloj mënyrë. Sapo thatë që nuk jep kredi, kjo për këtë ka lindur.

Sa për kujtesë; teksa Shehaj fliste dhe prezantonte raste të tjera abuzive, Deralla vazhdonte dhe qeshte!

Spektakli publik me viktimat e kredive me probleme
Denis Deralla

Nga ana tjetër Emin Braçi nxiti një debat. Sipas tij, ishte sot kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ai që dikur ndryshoi ligjin për përmbaruesit. Për këtë çështje, ZËRI ka pyetur vetë Bardhin, i cili ka mbajtur postin e ministrit teknik të Drejtësisë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk e ka ende një përgjigje se për çfarë e ka fjalën konkretisht Barçi. Shumë të qartë nuk e bëri as ky i fundit pretendimin e tij sepse ishte i zënë duke u munduar që të mbronte sa më shumë të mundej Bankën e Shqipërisë. Për të gjithë janë fajtorë, ndoshta dhe vetë ai, por Banka e Shqipërisë kurrsesi. 

"Ka problem të madh. Në vitin 2020, Etilda Gjoni çoi për ndjekje penale 25 veta, 24 përmbarues dhe një drejtuese të një institucioni financiar. Si ka mundësi që kthehet topi nga Banka e Shqipërisë. Prokurori Filopati konstaton mashtrim me firma dhe thotë Banka e Shqipërisë përgjegjëse, 'o zotëri po merre oficerin që ka bërë këtë mashtrim dhe fute në burg. E ka ligji, për çfarë e ngatërron Bankën e Shqipërisë. BSH është rezerva kombëtare e pasurisë. Banka e Shqipërisë po kryen detyrën duke i thënë që nuk ua fal kreditë. O motër...qytetarët vuanin që vajtën tek banka, mos i bëj pasanikë dhe banka i varfëroi... Ky debat nisi kur Banka e Shqipërisë nisi të bëjë këtë rregullim, na u prekën përmbaruesit privatë. Kur ndërhyri Banka e Shqipërisë, tha subjektet e mia, duhet të licensohen për këtë punë. Përmbaruesit na u mërzitën dhe ndërroi loja, nëse deri dje ndanin lekët me bankierët, tani duhet ti ndanin me këto kompani. Çohet qeveria teknike me zotin Bardhi dhe na bën një udhëzim dhe i këpusin Bankave dhe subjekteve financiare, e thonë mirë që ke humbur lekët për këto portfole, por do i paguash paradhënie përmbaruesëve. Çohet në 2018. Ministria e Financave dhe Drejtësisë, përmbaruesit e mbajtën në gjyq deri në 2023."

Më pas, fjalën e mori Shalsi që përsëriti edhe njëherë faktin që nuk e kishte zënë dot gjumi kur kishte parë lajmin për vdekjen e Pal Trashajt, por sigurisht që u krenuar për kafen që kishte pirë me guvernatorin Gent Sejko disa ditë para se ky i fundit të paraqitej para Komisionit të Ligjeve për të dhënë llogari. E thënë me fjalët e tij, ishte një kënaqësi. 

Spektakli publik me viktimat e kredive me probleme
Agron Shehaj

"Unë e kam thënë në parlament se nuk e kam bërë gjumin e qetë atë ditë kur mora vesh lajmin aq të hidhur. Por duhet të definojmë problemin dhe përmasat e këtij fenomeni. Sa janë mikrokreditë e dhëna? Sa është totali? *i drejtohet Shehajt Qenke shqetësuar se më ke parë mua në një kafe, që jo vetëm e kam për detyrë po e kam edhe për kënaqësi. Ndryshe nga ti unë vij edhe nga një eksperiencë e gjatë bankare."

Një këndvështim ndryshe për zgjidhje dha Brunilda Isai, e cila ndryshe nga të tjerët bëri me faj të gjitha hallkat që kanë çuar situatën në këtë pikë, duke i vënë theksin mungesës së një institucioni ku qytetarët mund të ankimoheshin. Por në të njëjtën linjë mendimi ishte dhe Shalsi, që më në fund pranon se Banka e Shqipërisë ka një rol në të gjithë këtë katraurë që është bërë me kreditë. Sipas tij, Kuvendi duhet të rishohë kuadrin rregullativ, por me Bankën e Shqipërisë pasi ajo është përgjegjësja. 

Brunilda Isai: Kjo është një situtatë shumë komplekse, të gjitha hallkat kanë qenë të vështira dhe në të gjitha diçka nuk ka shkuar siç duhet. Ne edhe situatën nuk e kemi të qartë sa dosje ka. Nuk ka asnjë ligj që mbron qytetarin. Lexova ligjin për përmbaruesit dhe thotë 'nuk mund t'i bëhet dhunë psikologjike qytetarët'. Nuk ka funksionuar siç duhet ankimimi, nuk ka asnjë institucion që e mbron. Kuadri ligjor dhe rregullator ka nevojë për rishikime dhe institucionet të sillen të gjitha në të njëjtën linjë. Ne kemi një normë tavan nga Banka e Shqipërisë.

Shalsi: Duhet të themi sesi të shmangim këto probleme në të ardhmen. Do të duhet dhe do të rishikojmë kuadrin rregullativ, duhet të jenë të përfshirë, Banka e Shqipërisë se ajo është përgjegjësja për rregulloret, shoqatat e bankave dhe të mos lejojmë ato abuzues...kjo është historia.

Spektakli publik me viktimat e kredive me probleme
Eduart Shalsi

Në mes të buzëqeshjeve për kamerat, Denis Derralla u shpreh se Banka e Shqipërisë nuk mund ti ‘frenonte’ kreditë e vogla që jepeshin sepse nuk ka pasur denoncime. Sipas tij, BSH është vënë në dijeni për skemat e mashtrimit përmes tyre në 2022, nga Ministria e Drejtësisë, teksa u njoftuan se kishte nisur hetim ndaj disa përmbaruesve. E pavërtetë, pasi pasi Flora Dedgjonaj, Drejtoresha e Përgjithshme e Drejtorisë Rregullatore e Çështjeve të Drejtësisë tha se institucioni ku ajo bën pjesë ndër vite ka trajtuar disa ankesa në lidhje me veprimtaritë përmbarimore.

"Veprimtaria përmbarimore përfshin një gamë të gjerë çështjesh të natyrës civile, administrative dhe penale, por janë edhe urdhrat ekzekutiv. Ministrisë së Drejtësisë, përgjegjësia dhe kompetenca i fillon dhe mbaron me mbikëqyrjen e veprimtarive që ndjekin përmbaruesit me vendimet gjyqësore të formës së prerë, të natyrave të ndryshme. Ministria e Drejtësisë ka qenë vigjilente dhe e disponueshme në pritjen e ankesave, në trajtimin e tyre. Janë trajtuar mbi 500 ankesa në 5 vite. Është paraqitur që në 2020 kallëzime penale ndaj tre shoqërive përmbarimore, që janë konstatuar shkelje që mund të përbëjnë elementë për vepër penale. Ndër vite janë hequr 12 licensa, që janë konstatuar shkelje dhe janë referuar pranë organeve të ndjekjes penale,"- tha Dedgjonaj.

Si përfundim, ankesat aty kanë qenë, thjesht nuk janë dëgjuar! Se përse, pikërisht për këtë duhet të japë llogari Banka e Shqipërisë dhe të gjithë instancat e tjera që duhet të kishin vënë fre mbi këtë makutëri që ndodhte çdo ditë para syve tanë. U desh, Pal Trrashaj të vdiste që të kuptonin dramën sociale që është shkaktuar? Kur do reagojnë? Edhe sa duhet të presin ata që përditë u zihet fryma me një kredi mbi shpinë? Të gjitha këto pyetjeve duhet t'u kthejë përgjigje BSH...sigurisht pasi Dëralla të ketë mbaruar së qeshuri!/ZËRI

Poll

MOS HUMB