TIRANË- Pas më shumë së 9 orësh ka përfunduar intervistimi i 14 kandidatëve në garë për postin e drejtorit të Policisë së Shtetit. Intervistimi filloi sot në në orën 09:30, duke përmbyllur kështu fazën finale të këtij procesi. Komisioni, i ngritur nga Ministria e Brendshme, i përbërë nga zv/ministrja Silva Caka, sekretarja e përgjithshme e ministrisë Kledia Ngjela dhe kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes së Policisë (AMP), Eduart Merkaj do të ketë në dispozicion 48 orë për të shpallur rezultatet dhe pikët përkatëse për secilin kandidat.
Pas kësaj, Komisioni i Posaçëm i dorëzon në bazë të ligjit Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar. Më pas Ministri i Brendshëm do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave kandidaturat dhe vendimi merret nga qeveria.
Procesi po ndiqet nga afër edhe nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë misionet ICITAP dhe EU4LEA, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, po ashtu edhe e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara, Nancy VanHorn, mbërriti mesditën e sotme në Ministrinë e Brendshme.
Në garë janë 14 kandidatë, pasi nga 16 aplikime fillestare, dy kandidate (gra) që nuk ishin pjesë e Policisë së Shtetit u skualifikuan gjatë fazës së verifikimit paraprak.
Lista e kandidatëve:
Afrim Tafa
Alfred Çepe
Arjanit Arapi
Elidon Çela
Gentian Berberi
Gentjan Shehaj
Idajet Faskaj
Lorenc Panganika
Neritan Nallbati
Pëllumb Seferi
Rebani Jaupi
Saimir Boshnjaku
Skënder Hita
Tonin Vocaj
Me largimin e Prodës, deri në zgjedhjen e drejtorit të ri, në detyrë është komanduar zëvendësdrejtori Sokol Bizhga./ZËRI
