TIRANË- Mbahet sot seanca e radhës në GJKKO për Gërdecin. Në seancë është paraqitur ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Ndërkohë për herë të parë, sot Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha do të dëshmojë në GJKKO për procesin e masakrës së Gërdecit. Bashkë me Shkëlzen Berishën do të merret në pyetje edhe ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi.
Shkëlzen Berisha është pjesë e listës me 71 emra për tu marrë në pyetje nga GJKKO. SPAK ka marrë në shqyrtim një shkesë që mbante emrin e Shkëlzen Berishës dhe u gjet asokohe pikërisht në zyrat e ministrisë së drejtësisë që drejtohej nga Bumçi, por sipas djalit të ish-kryeministrit bëhet fjalë për një dokument të falsifikuar.
Dëshmia e tyre lidhet pikërisht me këtë dokumet, që Bumçi i ka dërguar Ministrit të Mbrojtjes së kohës Fatmir Mediu me shënimin “për Shkëlzen Berishën”, në pjesën e sipërme të dokumentit në krahun e majtë.
Përveç këtij dokumenti, djali i ish-kryeministrit pritet të pyetet edhe për takime me ministrat e kohës në qeverinë Berisha dhe një telefonatë me Fatmir Mediun menjëherë pas shpërthimit në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona e mbi 300 mbetën të plagosur./ZËRI