Aktualitet

'Gërdeci'/ Pyeten 3 dëshmitarë, ish-ushtaraku: Baruti ishte me tonelata, atë ditë s'ishte hequr

Caje Çiku ka bërë me dije se nuk kishte asnjë kontratë punë dhe se ditën e tragjedisë vetëm sa ka parë zjarrin që ka rënë jashtë godinës dhe është larguar me vrap. Ndryshe nga ish-ushtaraku, ajo ka pretenduar se nuk kishte asnjë mjet për shuarjen e flakëve. 

k.m.
'Gërdeci'/ Pyeten 3 dëshmitarë, ish-ushtaraku: Baruti
Fatmir Mediu

TIRANË- Dëshmi të reja janë zbuluar në seancën e radhës që po zhvillohet në GJKKO për tragjedinë e Gërdecit. Dëshmitë sot i dhanë Caje Çiku, ish punëtore në fabrikën e Gërdecit dhe Zabit Cuku, ish-ushtarak, mbikëqyrës për ndarjen e predhave, por edhe Mirela Dvorani, e cila humbi bashkëshortin e saj; ndërsa katër dëshmitarë të tjerë nuk u pyetën pasi përfundoi orari zyrtar. Seanca e radhës do të mbahet më 9 nëntor.

Në nisje të seancës, në dëshminë e tij, Zabit Çuku, ish-ushtaraku që ishte mbikëqyrës në procesin e demontimit të armëve në Gërdec ka treguar se në ditën e shpërthimit, pa fillimisht tym të bardhë, që sipas tij vinte nga djegia e barutit. Ndërsa shtoi se në vendin e punës ka pasur të gjithë mjetet e nevojshme për të shuar flakët. 

“Ka patur masa kundër zjarrit”, -deklaroi në sallën e gjyqit Çuku. Ndryshe pretendon Caje Çiku, e cila ka bërë me dije se  se nuk kishte asnjë mjet për shuarjen e flakëve.

Të përbashkët në fjalën e tij ka qenë fakti se ditën e ngjarjes, baruti ka qenë i gjithi i grumbulluar në një vend dhe nuk ishte pastruar, ndërsa flasin edhe për pakujdesi, si nga punonjësit dhe po ashtu nga eprorët e tyre.  

DËSHMITË PARA GJKKO: 

Zabit Çuku: Deri në 2004 kam qenë ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes. Në 21 janar 2008 nisa punë te fabrika e demontimit. Më tha një shoku im që kishte vende të lira puna. Unë fola me Sokol Ngjeçin, pastaj u takova me Sokolin dhe Delirogjin në fabrikë. Takova disa persona (Vasil Çangen, Petritin, Ervisin...), më treguan procedurën e punës. Unë kisha 4 punëtorë, vinin arkat e municioneve dhe unë i hapja. Në vendim ku bëhej demontimi kishte barut. Fadroma merrte predhat, baruit, futej në thasë. Ditën e shpërthimit i them një personi që quhej Boran të largonte barutin, pasi ishte mbledhur shumë. Kishte sasi të madhe baruti. Ishte me tonelata. Përgjegjës kishim Vangjelin dhe Veizin. Dritanin kishim drejtor. Trajnim bëra vetëm ditën e parë. Sokol Ngjeci na e shpjegoi procedurën. Unë kam përvojë të gjatë me municionet. Predhat dhe municionet e rrezikshme i hiqnim me dorë. Të gjithë punëtorët punonin me dorë, pa makineri. Baruti dhe predhat largoheshin nga fabrika. Kishte mjete që shërbenin për fikjen e zjarrit. Atë ditë kishte një zjarrfikëse të madhe te dera. Ditën e shpërthimit, vetëm pashë flakën e madhe një shtëllungë tymi të bardhë të shkaktuar nga baruti dhe u largova me vrap bashkë me punëtorët e mi. 25-30 metra e gjatë flaka. Më thanë më vonë se flaka doli nga thesi i barutit që ishte mbi karrocë, nuk di gjë për saldime. Deliorgji nuk na bëri kontratë paguheshim 3 mijë lekë në ditë. Nuk kisha grup punë në mbikqyrje. Kur ndodhi shpërthimi dola me vrap, vrapova për 10 deri në 30 minuta rreth 500 metra. Më goditi një cope predhe në kokë, pasi predhat atë dite ishin te shpërndara në të gjithë fushën. Baruti grumbullohej çdo dite ne shesh, por ditën që ndodhi shpërthimi nuk ishte larguar nga aty. Filloi transportimi rreth orës 11:45 minuta.

Caje Çiku: Kam qenë e punësuar nga Qeshori 2007 deri kur ka ndodhur shpërthimi. Në fillim tek fishekët më pas jam marrë me larjen e predhave dhe punoja brenda në magazinë. Në punë më mori Veiz Muça. Nuk na kanë bërë instruktazh, nuk më kanë dhënë asnjë dokument, nuk kishte paisje kundër zjarrit, unë nuk i kam parë. Ditën e ngjarjes zjarri ka rënë kur ne ishim në orarin e drekës. Zjarri nisi jashtë ndërtesës. Baruti aty transportohej me karroca, nuk kam dijeni se kush i riparonte. Në 2007 nuk kam parë asnjëherë zjarr, grupi jonë nuk ka patur karroca të dëmtuara. 1 karrocë kishim të gjithën si grup. Ishim brenda në ndërtesë kur ndodhi shpërthimi. Nuk e di nga doli flaka, vetëm ika me vrap. U dogja pak në kokë, të flokët dhe në këmbë. Djali im 17 vjeç, punoi 4 muaj në fabrikë, shefi im ishte Dritani.

E teksa dëshmitarja fliste, ndërhyri avokati Ardian Visha ka kundërshtuar dëshmitaren, duke i thënë se në dëshminë e saj në 2008, në procesverbalin që Çiku ka bërë me Ibrahim Hoxhën ka deklaruar se karrocat saldoheshin te Qemal Deliu.

Avokati Visha: A kishte mjete për të fikur zjarrin? 

Dëshmitarja: Jam pyetur nuk kishte mjete për të fikur zjarrin. Unë s'kam parë të bjerë zjarr herë tjetër, kam marrë vesh që dëmtoheshin karrocat, por ne ishim grup tjetër. 

Avokati duke iu referuar dëshmisë së atëhershme të dëshmitares që flet për valën goditëse e pyet: Çfarë është vala goditëse?

Caje Çiku: Nuk e di.

Avokati i Mediut: Zonja në dëshminë e parë ka shprehur që nuk u di kuptimin dhe kërkoj qe të kundërshtohet dëshmia e parë e dhënë në atë kohë. Ka deklaruar se është goditur nga vala goditëse dhe se karrocat saldoheshin nga Qemal Deliu. Bishti këputej, thonte Ciku në pjesën fundore të karrocës dhe dërgohej për saldim te Deliu. Pra tregon se e ka parë karrocë që dilte nga fabrika. Me Lena Hasën, shoqen e saj kanë shkuar te shtëpia e Qemalit. Shton në deklaratën e 2008 se 1 karrocë u saldua ditën e shpërthimit.

Pas saj ka folur ish-përgjegjësi, Veiz Muça, i cili pretendon se gjatë procesit të punës shkeleshin të gjitha rregullat. Gjatë fjalës së tij, ai pohon se edhe herë të tjera ka pasur raste zjarri, por janë shuar në kohë, duke theksuar se ka pasur pajisje të posaçme. 

'Gërdeci'/ Pyeten 3 dëshmitarë, ish-ushtaraku: Baruti
Veiz Muça

Muça: Kam mbaruar shkollën e mesme ushtarake në Zallherr. Kam punuar punë të ndryshme në ndërtim dhe në ushtri kam qenë tek këmbësorja. Në Gërdec kam punuar nga 12 Qeshori 2007-15 Mars 2008. Në pune me ka marrë Dritan Minxolli atë e njihja dhe i kam kërku punë. Ai më ka shpjeguar çdo gjë dhe aty mendova se bëhej demontimi i fishekëve. Fillimisht isha brigadier dhe kontrolloja punën e atyre që merreshin me shkarkimin e predhave. Por ata i hidhin tutje dhe për këtë u zura me Dritanin. Pasi i thashë qe puntorët nuk janë të kujdesshëm ai me shkarkoi nga aty dhe më dërgoi diku tjetër, po brigadier. Aty vinin të gjitha llojët e artilerive, për predhat 100 mlm kishte një poligon. Zjarre të vogla ka pasur por janë fikur me fikset e zjarrit. Kishte njerëz të tjerë që merreshin me ato punë. Në Gërdec ishte baruti i dy ditëve pasi nuk kishte vend në konteiner për ta vendos dhe nuk ishte dërguar as në fabrikë. Ditën e ngjarjes, iku Dritani dola dhe unë porosita rojen të mos fuste njëri brenda. Ngjarja ndodhi kur sapo isha largu 200 metra më poshtë. Zjarri ka fillu aty ku bëhej demontimi. Baruti trasportohej me karroca. Kur prisheshin karrocat i riparonte ai Deliu e kishte shtëpinë aty afër. Sipas asaj që më kanë tregu puntorët zjarri ka fillu tek një karrocë me barut. Karroca i ishte prish djalit të atij Deliut. Ai e kishte dërgu në shtëpi dhe e kishte ngjit. Unë atë ditë s’i kam dhënë leje askujt. Deliu i thoshte drejtorit Dritanit që i saldonte ai karrocat nga dy tre në ditë që dëmtoheshin. Dua të them dicka "babëzia e ushtrisë për të sjellë sa më shumë municion dhe babëzia e punëtorë për të bërë sa më shumë punë për të arrit normën i shkelnin rregullat në punë. Të më thuash sot që të shkosh të bësh atë punë sikur 1 milion në ditë të më japin nuk shkoj më. Atë ditë ditë ika vetëm dhe hëngra në Vorë në restorant. Ishte e vetmja ditë që sikur më foli zoti dhe u largova, pasi çdo ditë tjetër haja në zyrë në fabrikë, por atë ditë ika. Kur po kthehesha nga dreka, ndodhi shpërthimi i parë, rashë pa ndjenja, më përmendën dy gra, më shkundën. I dhashë makinës sërish deri te nënkalimi i Gërdecit, aty ndodhi shpërthimi i dytë dhe rashë sërish pa ndjenja. Erdhi një shoku im i ngushtë, shkoi mori gomën se mu ça, pastaj erdhi e rregulloi dhe më çoi tek spitali i Traumës. Ditën e shpërthimit më mori Policia në shtëpi, kur drejtohej nga Shemsi Prençi, më çoi në Vorë për deklarime. Ka qenë dita kur qeveria ishte mbledhur në Vorë, Fatmir Mediu, Sabri Godo etj.

Por edhe kjo dëshmi është kundërshtuar nga avokati Visha, i cili tha se më 15 mars, Muça është shprehur ndryshe.

Gjithashtu, në Gjykatë ka folur edhe Mirela Dvorani, bashkëshortja e njërit prej viktimave nga shpërthimi i Gërdecit tha se atje punohej në kushte primitive.

Mirela Dvorani: Kam humbur bashkëshortin tim Endri Dvorani. Ai ka qenë i punësuar si ekonomist atje, më herët ka qenë ushtarak por ishte i liruar nga ajo detyrë. Në Gërdec ka punuar nga Shtator 2006- 15 Mars 2008. Ai ishte përgjegjës i disa grave dhe maste punën e tyre. Aty filloi punë se ishte në zanatin e vetë. Ai ishte i merakosur për kushtet e punës, për sigurinë teknike pasi aty punohej në kushte primitive këtë shqetësim ma kishte shprehur vetë.

Lista e dëshmitarëve është e gjatë dhe përfshin edhe djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha. Pritet që Berisha të pyetet për dijeninë e tij për aktivitetin e fabrikës së demontimit në Gërdec. Nga ana tjetër, pas 12 vitesh, Fatmir Mediu merret si i pandehur, pasi SPAK deklaron se me ndryshimet ligjore ai nuk ka më imunitet dhe mund të hetohet. Ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet për “Shpërdorim detyre", Shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim, “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues për shpërthimin në "fabrikën" e demontimit të armëve ku u vranë 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

Tragjedia që la pas 26 viktima

Mesditën e 15 marsit të vitit 2008 vendi do të tronditej nga një shpërthim i fuqëishëm në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec. Shpërthim që la pas 26 viktima, mes tyre dhe fëmijë, dhjetëra të plagosur rëndë dhe qindra të lënduar. Për shkak të shpërthimit të fortë 3000 banesa u shkatërruan ndërsa dhjetra banorë vuajnë ende sot pasojat e atij shpërthimi./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB