
TIRANË- Gjykata e Posaçme ndërroi masën e sigurisë për Bashkim Haxhiajn duke e lënë atë në “arrest shtëpie”, për akuzat për trafik droge, pasi atij i përfundoi afati i paraburgimit. Por, sërish Haxhiaj do të qëndroj në burg për 4 vite e 4 muaj pasi është dënuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji në nëntor të 2019.
Po ashtu, GJKKO disa ditë më parë pranoi kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë për Genti Ndernjakun dhe Julian Pjetri në “arrest shtëpie”, pasi atyre iu kaloi afati i paraburgimit për akuzat për trafik droge. Por edhe ata njëjtë si Haxhiaj do të qëndrojnë në burg pasi janë të dënuar për atentatin ndaj ish-prokurorit.
Disa muaj më parë, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dërgoi për gjykim 9 anëtarët e grupit kriminal që organizuan atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj. SPAK ka dalë në përfundimin se porositësi ka qenë Plaurent Dervishaj, i cili prej disa vitesh fshihet në Dubai. "Porosinë" për të hequr qafe ish-hetuesin, Dervishaj ia besoi Ramazan Rrajës, i cili në bashkëpunim me Arjol Halilaj kryen atentatin që viktimën e vetme pati shoferin e Ndojt, Andi Malokun. Të pandehurit: Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil), Ramazan Rraja, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri, janë identifikuar si organizatorë, financues, ekzekutorë dhe ndihmës në atentatin ndaj Ndojit dhe në disa ngjarje të tjera kriminale. /ZËRI