
TIRANË- Gjykata e Lartë ka rrëzuar ankimin e bërë nga Alma Kaçi për ndryshimin e masës së “Arrestit në shtëpi” me një masë më të butë sigurie. Vendimi i Gjykatës së Lartë vjen disa ditë pasi SPAK mbylli hetimet në lidhje me kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjici dhe e çoi atë në gjyq.
Gjatë hetimeve të SPAK janë zbuluar prova dhe të dhëna nga analizimi i të cilave ka rezultuar se e pandehura Alma Kaçi, është personi që i ka ofruar përfitime të parregullta të pandehurit Safet Gjici, me detyrë Kryetar i Bashkisë Kukës. Kaçi akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion aktiv.
Alma Kaçi u bë e njohur pas videoskandalit me ish-kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjici në zyrën e këtij të fundit. Kaçi u fut në zyrën e Gjicit me një kamera të fshehtë me pretendimin për të përfituar një tender për sterilizimin e qenëve të rrugës por synimi sipas saj ishte demaskimi i figurës së Safet Gjicit.
Në video, shfaqej Gjici duke kryer marrëdhënie seksuale me Alma Kaçin. Publikimi i videos nuk i kushtoi Gjicit vetëm lënien e mandatit por dhe burgun, pasi po përballet me drejtësinë për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë Kaçi është lënë në arrest shtëpie. Të dy kanë kërkuar në apelin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizaur masë më të butë sigurie por deri më tani, kërkesat e tyre janë refuzuar./Zëri.ai