
TIRANË- Arrestohet një prej autorëve të grabitjes së orëve të para të mëngjesit në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë. Policia bën me dije përmes një njoftimi për mediat se 17-vjeçari i arrestuar dhe bashkëpunëtori i tij ende në kërkim, nën kërcënimin e një arme imituese kishin grabitur personat dhe më pas ishin larguar. Po ashtu dy adoleshentët dyshohet se janë autorë dhe të vjedhjes së një shume parash në një farmaci në kryeqytet.
Në pamjet nga arrestimi shihet se Policia e shtrin përtokë 17-vjeçarin dhe i vendos prangat. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma e parave, e dyshuar e vjedhur, pistoleta imituese, dhe biçikleta të cilën autorët kanë përdorur për tu larguar nga vendi i ngjarjes.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë. I vodhën nën kërcënimin e një pistolete imituese, një shumë parash, dy shtetasve, falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Sektorit të Forcës së Posaçme "Shqiponja", në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, kapet dhe vihet në pranga njëri nga autorët e dyshuar. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij. Sekuestrohet shuma e parave, e dyshuar e vjedhur, pistoleta imituese, dhe biçikleta të cilën autorët kanë përdorur për tu larguar nga vendi i ngjarjes.
Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme "Shqiponja", në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, pas marrjes së njoftimit ditën e djeshme, në sheshin "Skënderbej", rreth orës 03:20, dy persona të paidentifikuar, nën kërcënimin e një arme, i kishin vjedhur një shumë parash dy shtetasve dhe më pas ishin larguar, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tyre.
Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" u kap njëri prej autorëve të dyshuar, një 17-vjeçar, banues në Tiranë. Gjithashtu, vijon puna për kapjen e një 17-vjeçari tjetër, bashkëpunëtor i tij. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se dy të miturit, janë autor të dyshuar edhe të vjedhjes së një shume parash, në një farmaci në rrugën "Asim Zeneli". Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma e parave, e dyshuar e vjedhur, pistoleta imituese, dhe biçikleta të cilën autorët kanë përdorur për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i tij dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./ZËRI