
FIER- Sokol Bajgora, 54 vjeç është dhunuar këtë të enjte nga tre persona, të cilët nën kërcënimin e armës tentuan t’i grabisin banesën në fshatin Baltëz të Fierit. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit teksa ishte i vetëm në banesë.
Për shkak të goditjeve të marra ai ka përfunduar në spital ku dhe ndodhet në kujdesin e bluzave të bardha. Për mediat ai ka treguar dhe se si ndodhi ngjarja.
Ai tregon se grabitësit e armatosur e kanë dhunuar dhe e kanë goditur në kokë me qytën e pistoletës. Pastaj, shton 54-vjeçari ata kanë tentuar ti mbyllin gojën për shkak se kishte filluar të bërtiste. Pasi kishin kontrolluar banesën dhe s’kishin gjetur gjë ata janë larguar.
Por, para se të largoheshin nga banesa kanë tentuar ti lidhin këmbë e duar dhe e kanë futur poshtë krevatit. Sipas tij, grabitësit nuk i ka njohur pasi mbanin kapuç si të Policisë në kokë.
Në lidhje me ngjarjen Policia e Fierit nuk ka asnjë të dyshuar dhe të arrestuar. Janë marrë në pyetje disa persona por ende asnjë emër konkret që fshihet pas ngjarjes së rëndë.
Sokol Bajgora: Ata i kishin rënë derës, i thyen xhamin edhe hynë. Unë dal nga dhoma gjumit, pa mbërritur tek dera, ata erdhën me elektrikë me automatikë, direkt më thanë ‘Lekë. S’kam lekë iu thashë pastaj më vunë poshtë të tre e fut e bjerë pastaj. Më kanë qëlluar në kokë me qyta pistoletë. Donin të m mbyllnin gojën, të më lidhnin dhe këmbët e duart. Siç isha, i lyer në gjak, bërtita fort që të më dëgjonte ndonjë nga vëllezërit se i kam afër, por ai kishte qenë në punë, unë e dija që ishte pushim. Pas ca minutash më lanë poshtë krevatit, si duket iu interesonte të mos ngrihesha. Zvarrë-zvarrë u ngrita, s’orientohesha dot se dritat na ishin fik, shkova tek vëllai dhe pastaj njoftuam Policinë. Tre veta me pistoleta automatikë, me maska, siç i mban Policia, vetëm syri. S’i njoha.
NJOFTIMI I POLICISË:
Fier. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në fshatin Baltëz, shtetas ende të paidentifikuar kanë hyrë për të vjedhur në banesën e shtetasit S. B., 54 vjeç, ku kanë ushtruar dhunë ndaj 54-vjeçarit dhe nuk kanë vjedhur asgjë.
Për shkak të dëmtimeve, shtetasi S. B. po merr asistencë mjekësore, në spital, dhe është jashtë rrezikut për jetën. Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për rastin, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Fier, disa shtetas që po merren në pyetje, me qëllim zbardhjen e ngjarjes.
Gjithashtu, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili vijon punën intensive, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve./Zëri.ai