
TIRANË- Grabitet një argjendari tek "Rruga e Dibrës" në Tiranë. Nga të dhënat e para të bëra me dije nga ZËRI, mësohet se grabitësi ka marrë me vete 10 milionë lekë të vjetra, në bizhuteri. Veçse, për të hyrë dhe për të grabitur, ka gjetur një mënyrë të re, e cila nuk dihej deri më tani. I vetëm, pa asnjë ndihmë, ka hapur një vrimë nga tarraca e argjendarisë, lëvizje që nuk ka ndezur asnjë sensor sigurie që mund të ishte brenda biznesit.
Kështu, qetësisht ka hyrë dhe ka marrë çfarë ka dashur, për të dalë më pas, pa u pikasur nga askush. Grabitja është konstatuar sot nga pronarët e argjendarisë, të cilët kanë njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit. Këtyre të fundit u kanë dhënë edhe kamerat e sigurisë, në mënyrë që të identifikojnë autorin e grabitjes, por deri më tani, nuk ka asnjë zhvillim.
Në njoftimin e bërë lidhur me ngjarjen, Policia ka njoftuar ka nisur nga puna dhe po heton
“Më datë 14.03.2024, në Rrugën e Dibrës, gjatë natës, persona ende të paidentifikuar, kanë vjedhur disa aksesorë floriri, në argjendarinë e shtetases S. K. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes”, njofton Policia./ZËRI