
MAJORKA- Një 41-vjeçar nga Shkodra është arrestuar në Spanjë, pasi akuzohet për një seri grabitjesh të ndodhura në qytetin e Majorkës. Bëhet fjalë për Robert Linadi nga fshati Bajzë i Shkodrës, i cili u arrestua bashkë me një bullgar dhe një maroken nga autoritetet spanjolle. Grupi, kryente grabitje në shtëpi të banuara dhe hiqte kasaforta nga muret, ishte i përfshirë në vjedhje në disa zona të ndryshme të ishullit, përfshirë Marratxí, Port d’Andratx, Palma, Calvià dhe Cala Rajada. Ata u kapën gjatë një operacioni të autoriteteve spanjolle.
Grupi kishte planifikuar grabitje për periudhën e Krishtlindjeve, duke shfrytëzuar udhëtimet e pronarëve të shtëpive. Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar një kasafortë të vjedhur, 50 ora, bizhuteri, telefona celularë dhe rreth 3500 euro para cash.
Linadi, i cili ka një histori të kaluar kriminale, ka qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale më parë, përfshirë vrasjen e Xhevahir Demaj në Londër në vitin 2004 dhe një rast pengmarrjeje në Londër në vitin 2003. Ai u dënua me 17 vite burg për vrasjen e Demaj dhe ka pasur ndalesa për hyrje në disa vende evropiane për incidente të ngjashme. /ZËRI