
TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë është blinduar sot nga Garda e Republikës, edhe pse "grupi i zjarrit" i Partisë Demokratike është përjashtuar nga seanca e sotme. Siç duket edhe nga pamjet e nxjerra nga brenda Kuvendit të Shqipërisë, salla është thuajse bosh, vetëm Edmond Spaho ka arritur që të futet para kohe, por nuk mungojnë punonjësit e Gardës. Lidhur me praninë e Gardës në sallë, ka reaguar edhe Gazment Bardhi.
"Ky nuk është më Parlamenti i përfaqësuesve të qytetarëve, por salla e Gardës së Republikës! Ora 09:00, asnjë deputet në sallë, por salla e seancave plenare ka plot 43 punonjës të Gardës së Republikës brenda,"-shkruan ai.
Edhe kjo seancë kaloi me tensione në sallën e Kuvendit. Ende pa nisur mirë, deputetët e opozitës u përplasën me Gardën e Republikës, e cila ishte vendosur në gatishmëri. Megjithatë përplasje kishte sërish, pasi Garda nuk i la opozitarët që të krijonin "malin" me karrige tek Foltorja e Kuvendit. Situata në sallë u përshkallëzua me ardhjen e kryeministrit Edi Rama, moment në të cilin opozita ndezi flakadanët. Por megjithatë gjithçka kaloi shpejt pasi sot seanca u mbyll për vetëm 8 minuta./ZËRI