
SARANDË- Zbardhet itinerari i autorit të vrasjes së Eraldo Nevruzit, i cili punonte si recepsionist në hotelin "Greccia" në Sarandë. Autori, Gerald Shehu, pasi ka kryer vrasjen 30 minuta pas mesnatë është nisur me mjet për në Sarandë. Makina e tij me targa angleze është gjetur sot e braktisur në një nga lagjet e qytetit.
Nga Saranda ka shkuar në ishullin e Korfuzit, ku kishte vendosur që të largohet për në Britaninë e Madhe. Ai u kap teksa po priste një biletë tranzit nga Korfuzi, në Barcelonë e më pas në Londër dhe u arrestua. Tanimë pritet që të kthehet në Shqipëri, për t'u përballur me drejtësinë dhe për të treguar se përse e qëlloi me armë zjarri 31-vjeçarin.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të hetimeve intensive për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Dhërmi dhe shkëmbimit të informacioneve me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, ju informojmë se:
Falë një sërë informacionesh kyçe të siguruara nga strukturat e Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e autorit të dyshuar, dhe bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet ndërkombëtare, veçanërisht me Policinë greke, është bërë i mundur lokalizimi dhe ndalimi i shtetasit G. Sh., i cili dyshohet të jetë autor i kësaj ngjarjeje kriminale.
Po si rezultat i veprimeve hetimore, në lagjen nr.4, Sarandë, është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i automjetit tip “Audi”, i dyshuar i përdorur nga autori në këtë ngjarje. Grupi hetimor vijon punën intensivisht, në koordinim me Prokurorinë, për gjetjen e shtetasit E. N. dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Si ndodhi vrasja?
Ngjarja e rëndë ndodhi në Dhërmi, ku sipas Policisë, Shehu e ka qëlluar me armë zjarri 31-vjeçarin në një nga dhomat e hotelit dhe pasi ka zhdukur trupin e viktimës. Më pas, është arratisur. Deri më tani, dy janë pistat paraprake të hetimit, njëri është konflikt i çastit dhe tjetri për prishje të pazareve të drogës pasi të dy jetonin dhe punonin së bashku në Angli./ZËRI