TIRANË- Janë hapur zyrtarisht aplikimet për “Paketën e Maleve”, nisma që reklamoi vetë kryeministri Edi Rama, i cili tha se do të nxisë zhvillimin në zonat malore. Tashmë në faqen zyrtare paketaemaleve.gov.al , të gjithë ata që janë të interesuar, mund të aplikojnë si dhe të njihen me cdo informacion dhe procedurë që duhet të ndjekin.
Sipas deklaratave të bëra nga i pari i qeverisë, për 500 aplikuesit e parë, paketa parashikon lehtësira fiskale për një periudhë prej 10 vitesh, përfshirë:
Përjashtim nga TVSH-ja (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar)
Përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat
Përjashtim nga taksa e pasurive të paluajtshme
Përjashtim nga taksa e infrastrukturës
Ndërkohë në Theth, prej ditësh vijon aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje. Kryeministri Rama ka dhënë urdhër për shembjen e çdo godine të ngritur pa leje, qoftë edhe kabinat prej druri të pushimit. Banorët e zonës e kanë kundërshtuar këtë aksion, pasi janë shprehur se kanë investuar të gjitha kursimet e jetës në emigracion dhe janë kthyer në vendin e tyre pasi kanë dëgjuar kryeministrin Rama që u premtoi se do tu legalizonte objektet e ngritura dhe do tu falte të gjitha gjobat për ndërtim pa leje. Dje pati dhe forca të FNSH-së të pranishme që kanë ndërhyrë me armë zjarri. Banorët i kanë vënë flakën një prej mjeteve të punës dhe urës që të mos lejonin futjen e isnpektorëve dhe efektivëve./ZËRI/