Aktualitet

Pezullohet për 1 vit hetimi për privatizimin e ish- fabrikës 'Buka', GJKKO: Të kapet Ahmetaj

Sipas Gjykatës, avokatët e Ahmetajt nuk kanë tagër përfaqësimi

k.m.
Pezullohet për 1 vit hetimi për privatizimin e ish- fabrikës
Arben Ahmetaj

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka pezulluar për 1 vit procesin 'Buka sh.a' derisa Arben Ahmetaj të kapet e të jetë para drejtësisë shqiptare. Sipas GJKKO gjykimi ish-ministrit të Financave dhe ish-zv.kryeministrit nuk mund të bëhet në mungesë, edhe pse avokatët kanë prokurë të përgjithshme. Sipas kësaj gjykate ata nuk kanë tagër përfaqësimi. Pas dosjes së inceneratorëve, ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj u mor sërish i pandehur nga SPAK, në lidhje me procedurat e privatizimit të ish-fabrikës së bukës. Ahmetaj akuzohet nga prokurori Elvin Gokaj për akuzën e "shpërdorimit të detyrës".

Pak kohë më parë, prokurorët e posaçëm morën një kallëzim nga trashëgimtarët e një ish-pronari, të cilët kanë pretendime mbi truallin e “Buka” sha., i cili i është shitur me ankand biznesmenit Lirim Fezollari. Kallëzuesit vunë në dijeni SPAK-un se ata kanë fituar të drejtën e pronësisë nëpërmjet vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

Por, pavarësisht kësaj, Arben Ahmetaj, në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë, zhvilloi ankandin për shitjen e aksioneve të “Buka” sh.a në vitin 2015, ku iu kalua biznesmenit Fezollari edhe prona që iu është njohur trashëgimtarëve të ish-pronarit të shpronësuar në vitin 1945 nga regjimi komunist. Në kuadër të këtij hetimi, SPAK-u ka siguruar informacion se, pas procedurës së privatizimit, Arben Ahmetaj dhe Lirim Fezollari kanë udhëtuar në një të njëjtin avion drejt një vendi të Bashkimit Europian. 

Përveç marrjes së Ahmetajt si i pandehur, SPAK vijon hetimet tashmë dhe për biznesmenin Fezollari si dhe 7 punonjës të tjerë që kanë qenë asokohe kur u morr vendimi në Ministrinë e Financave.

Dëmi që llogaritet nga privatizimi i ish-fabrikës së bukës llogaritet të jetë 700 milionë lekë.

Çfarë ka ndodhur me privatizmin e ish-fabrikës së bukës

Në Korrik të vitit 1995, një vendim i Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (KPPP), i saktësuar nga një vendim gjyqësor i asaj kohe, i ka njohur një familjeje të vjetër tiranase pronësinë në një sipërfaqe 8980 m2 në zonën e “5 Majit”, nga e cila 4890 m2 ishte ndërtesë e fabrikës shtetërore të Bukës.

Dy muaj më pas, në Tetor 1995, është regjistruar shoqëria tregtare anonime “Buka” sha, në pronësi absolute të shtetit shqiptar, nëpërmjet Ministrisë së Financave. Pjesë e aseteve të kësaj shoqërie ishte edhe trualli, i cili i ishte njohur familjes tiranase. Në vitin 1996, Ministria e Financave vendosi shitjen e 49 përqind të aksioneve të saj, duke vijuar të ruajë kontrollin mbi shoqërinë “Buka” sha.

Në vitin 2000, Ministria e Financave ka llogaritur kuotat që i takojnë ish-pronarëve në shoqërinë “Buka” sha. Për ish-pronarët e truallit të kësaj shoqërie është akorduar vlera prej 8.8 milionë lekë të reja, që i korrespondon një pakete prej 3.1 përqind të aksioneve. Në vitin 2004, Ministria e Ekonomisë vendos të shesë aksionet e saj në shoqërinë “Buka” sha, në shifrën 47.65 përqind.

Trashëgimtarët e truallit kanë kundërshtuar në rrugë gjyqësore, si vlerën e kuotave që u është përcaktuar nga Ministria e Ekonomisë, po ashtu edhe procedurën e ankandit, derisa të sqarohet përfundimisht sasia e aksioneve në “Buka” sha. Ndër të tjera, vendimi i Ministrisë së Ekonomisë për numër minimal kuotash, u hiqte të drejtën atyre jo vetëm të një vlerësimi të drejtë, por edhe të përfshirjen në ankand me të drejtën e parablerjes së aksioneve qeveritare.

Kërkesa e tyre pranohet nga Gjykata e Apelit në vitin 2006 dhe Ministria e Ekonomisë detyrohet nga gjykata që të anulojë ankandin, si edhe të vlerërojë trashëgimtarët e pronarit me vlerën e tregut. Ministria e Ekonomisë anuloi procedurën e ankandit, por për vite me radhë nuk zbatoi pjesën e vendimit për ri-llogaritjen e aksioneve të trashëgimtarëve dhe vlerësimin e tyre.

Në vitin 2014, Ministri i Ekonomisë së kohës, Arben Ahmetaj, shpall sërish ankandin për shitjen e 47.6 përqind të aksioneve shtetërore në “Buka” sha. Këtu është momenti kur shfaqet biznesmeni Lirim Fezollari. Në shtator 2014, ai fillimisht kishte blerë 15 përqind të aksioneve. Brenda tre muajve, deri në nëntor 2014, Fezollari arrin të blejë 40 përqind të aksioneve nga moria e ortakëve në minorancë (kryesisht ish-punonjës të “Buka sha).

Pra, në momentin e shpalljes së ankandit, Lirim Fezollari rezultonte efektivisht aksioneri i dytë më i madh i “Buka” sha, pas Ministrisë së Ekonomisë. Por, kjo situatë e aksionerëve nuk kishte reflektuar vendimin e Gjykatës së Apelit të vitit 2006, e cila kërkonte ri-vlerësimin e kuotave në shoqëri të trashëgimtarëve të truallit, ku gjendeshin godinat e “Buka” sha.

Në Shtator 2014, Ahmetaj shpall procedurat e ankandit për shitjen e aksioneve të qeverisë në “Buka” sha., ndërkohë që nuk ishte zbatuar ende vendimi i formës së prerë, të marrë nga i Gjykata e Apelit në vitin 2006, për ri-llogaritjen e kuotave të ish-pronarëve në “Buka” sha. Në Qershor të vitit 2015, Komisioni i Ankandit, i ngritur pranë Ministrisë së Financave, e cila në atë kohë drejtohej nga Shkëlqim Cani, nënshkruar një marrëveshje paraprake me biznesmenin Lirim Fezollari, ku përcaktohen modalitetet e procedurës.

Në Gusht 2015, Ministria e Financave shpall biznesmenin Fezollari fitues të ankandit për blerjen e aksioneve (rrjedhimisht edhe aseteve) të shoqërisë anonime “Buka” sha.

Ndërkohë që zhvilloheshin këto procedura, trashëgimtarët e ish-pronarit i drejtohen sërish gjykatës, ku kërkohej anulimi i ankandit të shpallur rishtazi, si edhe rivlerësimin e pronës me çmimet e përcaktuara, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2001 dhe akteve pasuese të tij.

Ministria e Financave u tregua e paduruar për të mbyllur ankandin, ndërkohë që institucioni ishte i paditur në gjykatë dhe procesi gjyqësor ishte në vijim. Në tetor 2015, vetëm dy muaj pas shpalljes së rezultateve të ankandit, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë u jep të drejtë ish-pronarëve, duke vendosur gjithashtu anulimin e pasojave të procedurës.

Çështja shkon në Apel, me ankimues Ministrinë e Ekonomisë, si institucioni që kishte urdhëruar zhvillimin e ankandit. Ndërkohë që çështja priste vendimin në Apel, rezulton se biznesmeni Lirim Fezollari, si aksioneri maxhoritar i “Buka” sha, shet asetet e shoqërisë, konkretisht trojet e saj, tek kompania “Tobbaco Holding”, e cila ishte gjithashtu në pronësi të saj.

Në nëntor të vitit 2017, Gjykata Administrative e Apelit u jep përfundimisht të drejtë ish-pronarëve, si për anulimin e ankandit, ashtu edhe për rivlerësimin e kuotave në shoqërinë “Buka” sha.

Por, tashmë, një pjesë e aseteve të saj, kryesisht në zonën “5 Maji” dhe tek “Pallati me Shigjeta”, Lirim Fezollari ia kishte shitur Lirim Fezollarit (shoqërisë “Tobbaco Holding”). Në këto prona, biznesmeni Fezollari ka marrë leje nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të ndërtuar një qendër tregtare (në zonën e “5 Majit”), si edhe ka ndërtuar një kompleks lojërash (tek “Pallati me Shigjeta”)./ZËRI

Poll

MOS HUMB