
TIRANË- Një 33-vjeçare është arrestuar nga policia në Tiranë pasi akuzohet se ka nxitur një 12-vjeçar të konsumojë lëndë narkotike.
Rasti u denoncua nga emisioni Stop në Tv Klan dy ditë më parë. Seksioni i Narkotikëve në Policinë e Tiranës nisi hetimet për rastin dhe vuri në pranga 33-vjeçaren e identifikuar me iniciale M.Ç. E ëma e djalit 12-vjeçar, denoncoi në “Stop” se ajo me të vëllain kanë zbuluar një grua që u shet lëndë narkotike të miturve.
33-vjeçarja rezulton se është proceduar për shitje droge edhe gjatë operacionit kombëtar “Tempulli 1” dhe aktualisht është në proces gjykimi në Gjykatën e Tiranës, në gjendje të lirë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Në lidhje me një rast të transmetuar në emisionin investigativ “Stop”, ju bëjmë me dije se: Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, pas publikimit të rastit, ndaluan shtetasen M. Ç., 33 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi ka shtytur një 12-vjeçar, për të konsumuar lëndë narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Kjo shtetase është proceduar dhe gjatë operacionit policor të koduar “Tempulli 1”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe aktualisht është në gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.