
TIRANË- Rrjetet në Telegram ku shpërndahen materiale pornografike, janë kthyer në një sheqetësim serioz në muajt e fundit, ndërsa ZËRI ka publikuar disa shkrime, ku denoncohen këto grupe. Pas mbylljes së rrjetit ‘Albkings’, ZËRI ka zbuluar ekzistencën e grupeve të tjera, ku fotot dhe të dhënat e vajzave hidhen për konsum në një grup me mijëra njerëz, kryesisht burra.
Kjo ka qenë tema e diskutimit në “Shqipëria Live”, ku gazetarja e ZËRIT Florida Mingla, shpjegoi se pre e ketyre rrjeteve kanë rënë persona pa dëshirën e tyre. Në vëzhgimet e ZËRIT është evidentuar, se në shumë raste materialet që shpërndahen, mund të kenë për autorë ish-parnerët e këtyre vajzave, të cilët hakmerren duke ua bërë publike videot intime.
Psikologia Marsi Simo, tha se shumica e personave që janë pjesë e këtyre grupeve janë njerëz të frustruar. ‘Për ne ata janë kampionë për të kuptuar mbi tipologjinë e burrave shqiptarë, për frustrimet që ata kanë. Kanë mangësi sociale, që i reflektojnë me pjesëmarrjen në këto grupe’, tha psikologia.
Ky fenomen është i përhapur edhe në Kosovë, ku së fundi janë arrestuar dy të rinj, që dyshohet se janë administratorët e Alb Kings. Sipas avokatëve vendas, të rinjtë mund të dënohen maksimumi me 3 vite burg, pasi ndaj tyre është ngritur akuza për fotografim dhe incizim të paautorizuar. Në këtë pikë avokatët vendas kërkojnë që të ndryshohet legjislacioni, pasi viktima të këtyre grupeve kanë qenë edhe fëmijë.
Një ekspert i IT i ftuar në studio, dha disa këshilla: Ata janë grada ZH, sa ti gjejmë dhe ti fusim në burg, do të dalin persona të tjerë. Do jenë gjithmonë, perversiteti është diçka që do shoqerojë njerëzimit. 1. Mos bëni video. 2. Mos kapni shenja identifikuese. 3. Nëse jua marrin, mos bëni negociata me këta persona, janë si terroristët. Materialet nuk fshihen, hard disku mban material. Nëse e fut veten online, ti gjitjmonë rrezikon. 4. Këshilla e fundit, nëse ju ndodh, mundohuni që t’a injoroni. Jeta nuk mbaron. Bëhet më keq nëse iu jepni material këtyre njerëzve.
Grupi në fjalë është mbyllur përkohësisht, me pretendimin se tashmë është muaji i Ramazanit.
“Grupi do të rihapet sërish, pas muajit të Ramazanit’, citon gazetarja Mingla. “Me këta persona funksionon vetëm burgu”, shtoi psikologia Simo, ndërsa kërkoi ndërhyrje në ligj.
ZËRI dhe në muajin Tetor të vitit të kaluar, publikoi një seri shkrimesh për rrjetet me përmbajtje pornografike në Telegram, ku shiheshin dhe fëmijë të mitur që ishin viktima të këtyre personave. Por megjithë dorëzimin e materialeve në polici, asnjë person nuk është vënë para drejtësisë shqiptare.
/ZËRI