
TIRANË- Mustafa Lici është paraqitur paraditen e kësaj të mërkure në ambientet e SPAK, ndërkohë që i biri i tij Ibrahim Lici është në kërkim për vrasjen e 32-vjeçarit Endri Mustafa. Nuk dihen ende arsyet e thirrjes së Licit në Prokurorinë e Posaçme, ndërkohë që fisi i tij është i njohur në Shkodër për një seri ngjarjes kriminale, në përplasje me bandat kundërshtare. Por as ai vetë nuk ka dhënë detaje edhe pse u pyet nga gazetarët. I vetmi detaj që dha ishte fakti se nuk kishte lidhje me dosjen "Metamorfoza".
Mustafa Lici: Nuk mund t'ju shpjegoj ju përse më thirrën. Nuk kishte lidhje me Metamorfozën. Nuk po hetohem. Jam një person që mund të kem dijeni për diçka.
Djali i tij, Ibrahim Lici përmendej në dosjen “Metaforfoza”, ku Behar Bajri thurrte plane për ta ekzekutuar.
Mustafa Lici ka mbajtur më herët dhe postin e anëtarit të këshillit Bashkiak në Shkodër. Ndërkohë djali i tij Ibrahim Lici, ka qenë një prej emrave më të lakuar sa i takon ngjarjeve kriminale, të ndodhura disa vite më parë në Shkodër.
Sipas policisë, Lici është autori kryesor i atentatit ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 mars të 2019. Ata u vranë në portën e banesës së tyre, ndërkohë që ngjarja u hetua si përplasje mes grupeve rivale. Po ashtu ai dyshohet si autor i vrasjes së Endri Mustafës, që njihet si mik i ngushtë me Astrit Bilalin, njërin prej viktimave.
Astrit Bilali, është babai i Astmer Bilalit, ish kampionit boksit i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër. Ndërsa viktima Endri Mustafa ka qenë shok me Astmer Bilalin, ndërsa emrat e tyre dalin bashkë në disa ngjarje kriminale. Përplasja mes fiseve Bajri e Lici dyshohet se ka nisur që prej atentatit në janar të 2018 ndaj biznesmenit Lulzim Kulla./ZËRI