
TIRANË- Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Apelit të Posaçëm për Blendi Tetën, i dënuar me 25 vite burg për rolin e tij si vëzhgues në vrasjen e Santiago Malkos. Shkalla e tretë e gjyqësorit është mbledhur këtë të enjte dhe ka vendosur kthimin e çështjes për gjykim. Tashmë çështja do të kthehet në Gjykatën e Apelit për rishqyrtim, me një tjetër trup gjykues.
Ish-polici Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, në makinën e tij tip “BMW X5”. Për vrasjen e Malkos, SPAK akuzon 8 persona, ku në krye të grupit janë dy vëllezërit Duka, Leonardi dhe Erlisi. Klani Duka, i akuzuar për vrasjen përbëhet nga: Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica.
Deri më tani, i dënuar me 25 vite burg ishte Blendi Teta, ndërsa Ilir Selmani është dënuar me 28 vite burg.
Të dhëna për vrasjen e Malkos janë zbuluar edhe nga përgjimet e “SkyECC”. Në bisedën mes Ervis Martinajt dhe Leonard Dukës, bossi i lojrave të fatit e thoshte hapur se nuk e kishte problem faktin që i kishte vrarë njeriun që kishte të besuar, duke iu referuar Malkos, madje i linte shteg hapur që të vepronte po njësoj edhe me Erigers Mihasin (Edhe ky është vrarë). Dyshja Duka-Martinaj kanë qenë miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë në fushën e lojërave të fatit, marrëdhënie që u kris dhe vijoi më pas me eliminimin e krahëve të njëri-tjetrit. Tashmë i zhdukur pa gjurmë është edhe vetë Martinaj, ndërsa Duka është ekstraduar dhe po përballet me drejtësinë.