
TIRANË- Jeton Lami, personi i fundit që pa Ervis Martinajn, ka dalë nga burgu! Ish-oficeri i Forcave Operacionale, Jeton Lami ka kryer dënimin e tij, 2 vite dhe 10 muaj, është liruar nga qelia, ku ndodhej prej thuajse një viti. Lajmi për lirimin e tij është bërë me dije sot, por nuk dihet data ekzakte se kur e ka lënë qelinë i riu. Pas arrestimit të tij, Lami dha shpjegimin e parë se ku ishte njohur me biznesmenin e lojrave të fatit, por shtoi se nuk kishte asnjë dijeni për zhdukjen e tij dhe se për herë të fundit e ka dërguar në Vorë, ku e kishte lënë në një karburant.
"Ervis Martinajn e kam njohur 10 vite përpara. Me atë nuk kam pasur asnjë miqësi apo lidhje të ngushtë. Megjithatë tre ditë para se ta shoqëroja në Durrës, e kam takuar rastësisht tek një ambient te Zogu i Zi. Më ka kërkuar ta shoqëroja. E kam shoqëruar në drejtim të Durrësit dhe e kam dërguar në një hotel ku u takua me një mikeshën e tij. Të nesërmen kam shkuar sërish në Durrës, e kam marrë Ervis Martinajn dhe mikeshën e tij dhe i kam lënë në një ambient pranë një karburanti në zonën e Vorës. Aty sipas informacioneve që kisha Ervis Martinaj do të bënte disa takime. Në atë moment jam shkëputur me të dhe nuk kam asnjë dijeni se çfarë ka ndodhur me të,”- ka deklaruar për prokurorin ish-agjenti Jeton Lami.
Ndërsa në një tjetër rrëfim për agjentët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Jeton Lami tha se nuk e kishte “shpërdoruar detyrën” teksa shoqërohej me Ervis Martinaj pasi pretendonte që nuk e njihte si person që ishte i shpallur në kërkim.
“…në kuadër të ushtrimit të detyrës unë kisha dijeni zyrtare që ndaj shtetasit Ervis Martinaj është vendosur masa “arrest në burg”, në mungesë, në datën 17 Maj 2022. Në dosjen gjyqësore të prokurorisë, nuk ka asnjë provë shkresore apo me dëshmitarë që të provojë se Jeton Lami ka dijeni zyrtarisht dhe në formën e kërkuar nga ligji…Unë kurrë nuk kam marë një detyrë nga shefat e mi për arrestimin e Ervis Martinaj dhe kurrë nuk i jam shmagur çdo detyre që më është ngarkuar gjatë kohës që isha pjesë e Policisë…,”-është shprehur Jeton Lami në mbrojtjen e tij.
Ish-agjenti i Operacioniales u arrestua në Gusht të 2022, vetëm disa ditë pasi familja e Ervis Martinajt kallëzoi humbjen e kontakteve me të shumëkërkuarin. Jeton Lami rezultoi ndër personat e fundit që kishte patur kontakte me Martinajn, e vërtetuar dhe me pamje filmike në një hotel në Durrës. Por që nga gushti dhe deri më tani, Jeton Lami nuk ka pranuar që të flasë. Për Jeton Lamin, më 26 dhjetor, Prokuroria e Kurbinit zgjati edhe me 3 muaj të tjerë afatin e hetimit për Jeton Lamin, duke arsyetuar se do të kryejë veprime të tjera hetimore.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim. Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Rama vendosi dhe 100 ditë afat për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, por pavarësisht se afati ka skaduar, nuk ka asnjë detaj nga hetimet. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version./Zëri.ai