
VLORË – Përdhunimi i 26-vjeçares në Vlorë tronditi opinionin publik.
Përfaqësues të shoqërisë civile, gjatë ditës së sotme, kanë zhvilluar një protestë. Kjo protestë u organizua përpara prokurorisë dhe gjykatës së Vlorës.
Protestuesit, me pankarta në duar kanë kërkuar dënim maksimal për autorët. Po ashtu, protestuesit dhanë mesazhin, se duhet të denoncohen rastet e abuzimeve seksuale.
“Duhet të ngremë zërin ndaj krimeve seksuale ndaj grave, por edhe ndaj djemve në disa raste. Janë shtuar edhe krimet seksuale ndaj të miturve. Le të ngremë zërin të gjithë bashkë të mbrojmë viktimat, të thyejmë paragjykimet, jo vetëm në komunitet, por edhe në strukturat shtetërore.
Viktimat nuk duhet të mbesin vetëm e të pambrojtura. Të shprehim besim tek strukturat e drejtësisë, që këtë herë të vendosin drejtësi për këtë vajzë, për këtë bijë, për këtë motër. Kjo vajzë mund të ishte motra jonë, mund të ishte bija jonë, mund të ishim vetë ne”, tha një protestuese.
Gjykata e Vlorës vendosi masën “arrest me burg” për tre shtetasit e akuzuar për nxitje dhe përdorim të drogës dhe më pas përdhunimin e 26-vjeçares.
Dy prej autorëve të dyshuar, Oltjon Tahiri dhe Albi Ceno janë arrestuar, ndërsa në kërkim është shpallur Gentjano Mehmeti, si dhe një tjetër shtetas. 26-vjeçarja u gjet në rrugë nga policia dhe u dërgua në spital, në gjendje të rënduar psikologjike./Zëri.ai/