
TIRANË- Prindër, fëmijë, dhe qytetarë të ndyshëm kanë dalë sërish sot në protestë për rastin e dhunës së vogëlushes 3-vjeçare në kopshtin privat "Stinët', në Tiranë. Qyetetarët u shprehën të indinjuar duke thënë se edukatorja duhet të shkojë në burg, ndërsa institucionet përkatëse të mbajnë përgjegjësi. Pjesë e protestës ështe edhe halla e vajzës 3-vjeçare të dhunuar, e cila ka komentuar edhe arrestimin e edukatores Majlina Dehima.
“Insitucionet duhet të jenë përgjegjëse. Duhet të ketë teste për të gjitha edukatoret që merren në punë. Ishte një mjedis shumë i vogël. Opinioni publik duhet të ushtrojë presion ndaj institucioneve arsimore”- u shprehën ata.
"Mos punësoni diploma por njerëz", Unë jam fëmijë nuk dua të më gjuajnë, unë dua të kërcej, dua të bëj festë, dua të mësoj jo të kem frikë", "0 tolerancë dhunës ndaj fëmijëve", -shkruhet në disa prej pankartave që mbajnë në duar fëmijë dhe prindër.
Qytetarët e nisën fillimisht protestën përballë Ministrisë së Arsimit, ndërsa marshuan më tej drejt Ministrisë së Brendshme me thirrjet për të vendosur drejtësi. Dhunimi i 3-vjeçares në kopshtin ‘’Stinët’’ ndodhi në datën 1 Nëntor. Drejtuesja e kopshtit, i cili vepronte pa licensë dhe në ilegalitet të plotë, ka tentuar ta fshehë ngjarjen, duke iu thënë prindërve të së miturës, se këmba i ishte ënjtur si pasojë e një pickimi. Por pamjet e transmetuara në emisionin ‘’Stop’’ vërtetuan të kundërtën, ku shihej edukatorja që dhunonte të miturën, teksa fëmijët ishin duke fjetur gjumin e drekës. Për 2 orë 3-vjeçarja u mbajt duke qarë në kopsht, dhe më pas u bë njoftimi i prindërve të saj, të cilët u përballën dhe me sjelljen arrogante dhe aspak profesionale të punonjësve të policisë, 2 prej të cilëve janë nën hetim. Kjo ngjarje ka ngjallur reagime të shumta, duke sjellë edhe nisjen e një aksioni nga Ministria e Arsimit për të kontrolluar të gjitha kopshtet dhe çerdhet. Edukatorja Majlinda Dehima është arrestuar, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin për 2 efektivët, të cilët neglizhuan çështjen./Zëri.ai