TIRANË- Gjykata e Posaçme ka hequr masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ për ish-administratorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Edmond Tërthorja. Trupa gjykuese që mori vendimin përbëhej nga Rudina Palloj, Erjon Çela dhe Besmir Stroka.
Pas këtij vendimi, Tërthorja duhet të respektojë detyrimin e paraqitjes, duke u paraqitur pranë oficerit të policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit në ditën e parë të çdo muaji në orën 10:00.
Në shkurt të këtij viti, SPAK dha pretencën për Edmond Tërthoren dhe të pandehurit e tjerë, duke kërkuar 3 vite burg, dënim i cili zbret në 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe ti hiqet drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Pretenca: "Edmond Terthorja – 3 vite burg, ulje të 1/3 së dënimit, t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite."
Edmojnd Tërthorja dhe zyrtarë të tjerë të Universitetit Bujqësor të Tiranës akuzohen se abuzuan me disa procedura prokurimi përmes falsifikimit të akteve me qëllim fryrjen e fondeve limit dhe paracaktimin e fituesve.
Stafi i UBT-së akuzohet për për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funsione publik". Mes të akuzuarve janë Romina Koto, dhe Ilir Kapaj, me detyrë zëvendësrektorë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Bejo Bizhga, me detyrë përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike në UBT. Tre zyrtarët në bashkëpunim me të tjerë kolegët favorizuan për shpalljen fitues në 9 tendera, kompanitë: “Krijon” sh.p.k. që zotërohet nga Piro Zoga, 70 % të aksioneve dhe Fotion Zoga, 30 % e aksioneve, “Zero Group” sh.p.k që zotërohet nga Arnold Kryeziu, me 100% të aksioneve dhe “Malvina Visoka PF” që zotërohet nga vetë Malvina Visoka./ZËRI