
TIRANË- Një 15-vjeçar është arrestuar, pasi ka kërcënuar me armë zjarri një 16-vjeçar. Mësohet se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Valias të Ri në Kamëz. Policia gjatë arrestimit të të miturit, ka sekuestruar një pistoletë dhe municion luftarak. Autoritetet po punojnë për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarje.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, pas informacionit të marrë se në Valias, një 15-vjeçar kishte kanosur me armë zjarri, një 16-vjeçar, menjëherë kanë organizuar punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e plotë ligjor të saj dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Gun”. Gjatë operacionit u arrestua një shtetas 15-vjeç, pasi dyshohet se ditën e djeshme, rreth orës 19:00, në Valias të Ri, ka kanosur me armë zjarri një shtetas 16 vjeç. Arma e zjarrit tip pistoletë, së bashku me krehrin dhe municionin luftarak, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë”, njofton policia. /ZËRI