
KONFLIKTI- Në ngjarjen kriminale që ndodhi sot në veri të Kosovës mund të kenë gisht dhe shtetas rus, pasi dhe në audiopërgjimet e nxjerra nga brenda manastirit të Banjskës gjuha e folur ishte ajo ruse dhe serbe.
Zv/drejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti i pyetur nga gazetarët tha se kanë pasur informacione mbi lëvizjen në kufi me Serbinë të pjesëtarëve të grupit mercenar ‘wagner’, që aludohen se janë pjesë e sulmit të sotëm ndaj forcave policore në veri.
Në një konferencë të përbashkët me Kurtin, Hoti tha se kishin pasur dhe informacione se mund të kishte sulme, por asgjë nuk është e vërtetuar deri më tani.
“Kemi pasur informacione se po lëviznin pjesëtarë të grupit Wagner, dhe që mund të vinin të sulmonin, por asgjë të konfirmuar për sot. Jemi duke u koordinuar me KFOR-in. Në Prokurori duhen fakte kur deklaron diçka”, tha ai.
Ndërkohë që vetë Kurti refuzoi që të komentonte ndërsa më herët deklaroi se policia e Kosovës po mban të rrethuar 30 persona të armatosur brenda manastirit.
Policia e Kosovës ka vendosur perimetër sigurie në zonën rreth manastirit ne Zvecan, ndërkohë që spitali i Mitrovicës ka kaluar në gjendje gadishmërie. Kurti këmbënguli se incidenti i orëve të para të mëngjesit nuk ka lidhje me bandat e kontrabandës por me grupe të organizuara kriminale. Kryeministri po ashtu gjatë konferencës publikoi edhe disa pamje të grupit të armatosur, ndërsa në momentet që flasim vazhdojnë ende të shtënat me armë.
Wagner, i cilësuar shpesh si një ushtri mercenare, është themeluar në vitin 2014 nga shtetasi rus, Yevgeny Prigozhin, i cili ishte person i afërt me Kremlinin dhe humbi jetën në një incident ajror pak javë më parë, pasi kishte tentuar grushtin e shtetit ndaj Putin.
Grupi wagner ka qenë i angazhuar në vijën e luftës në Ukrainë, ku dhe Prigozhin akuzoi Putin për humbje të mëdha, e për këtë shkak organizoi një grusht shteti të dështuar ndaj tij. Vdekja e Prigozhin mbetet e mistershme, pak kohë pasi të gjithë ishin në dyshim për jetën e tij, dhe një hakmarrje të mundshme nga Putin./Zëri.ai