
MAMINAS- Nuk ka mbetur më asgjë nga fabrika e bojërave ‘Deutsch Color’, e cila u dogj mbrëmjen e djeshme në afërsi të Maminasit në autostradën Tiranë-Durrës, duke lënë pas dëme të pallogaritshme materiale.
Magazina, më e madhja në Shqipëri sa i takon kompanive të bojërave, është shkrumbuar totalisht, edhe për shkak të materialeve të djegshme që ndodheshin brenda saj.
Fatmirësisht nga zjarri nuk ka të lënduar, pasi punonjësit ishin larguar më herët, teksa pranë godinës ndodheshin vetëm rojet, të cilët po ashtu janë larguar në kohë. Njëri nga rojet është shprehur se zjarri ka nisur nga ambientet e brendshme të magazinës, teksa shkaqet janë ende të paqarta.
Zjarri nisi rreth orës 23:00 dhe përmasat e tij detyruan autoritetet të bllokojnë qarkullimin e aksit Tiranë-Durrës, si dhe të ndërpresin energjinë për motive sigurie.
Biznesi në fjalë është në pronësi të Luan Muçës, ndërsa fabrika “Deutsch Color”, konsiderohej më e madhja e prodhimit të bojërave në Ballkan.
Muça ka deklaruar në polici, se volumin më të madh të punës e kishte me klientë të mëdhenj jashtë vendit dhe mosrespektimi i kontratave me ta për shkak të zjarrit është dëmi më i madh i shkaktuar.
Me ftohjen e ambienteve ku ra zjarri hetuesit kanë nisur nga puna për zbulimin e shkaqeve, ndërkohë që hetimet drejtohen nga prokurorja e Durrësit Flora Reka./Zëri.ai