Aktualitet

Sulmi terrorist/ Borrell: BE e gatshme të konsiderojë “masat ndëshkuese” ndaj Serbisë

Borrell shprehet se BE-ja është e gatshme të marrë parasysh masat pasi të analizojë sjelljen e Serbisë në raport me Kosovën dhe institucionet, raporton KP.

E.K
Sulmi terrorist/ Borrell: BE e gatshme të konsiderojë “masat
Joseph Borrell

BRUKSEL- Pesë ditë pas sulmit terrorist në veri të Kosovës dhe kritikave të qeverisë Kurti, shefi i diplomacisë europiane Joseph Borrell ka deklaruar se Bashkimi Europian është i gatshëm të diskutojë masa ndëshkuese ndaj Serbisë.

Kjo e fundit mbajti një ditë zi kombëtare për tre terroristët e vrarë në përplasjen me armë në Banjskë të Zveçanit ku u vra efektivi i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku.

Borrell shprehet se BE-ja është e gatshme të marrë parasysh masat pasi të analizojë sjelljen e Serbisë në raport me Kosovën dhe institucionet, raporton KP.

Joseph Borrell: Janë marrë masa në lidhje me Kosovën. Këto janë masa politike dhe financiare, ndër të cilat është pezullimi i vizitave dhe ngjarjeve të nivelit të lartë, me përjashtim të dialogut të udhëhequr nga BE. Ato masa kanë ndikim edhe në mbështetjen financiare për Kosovën. Pezullimi është i përkohshëm dhe i kthyeshëm dhe do të hiqet sapo të ketë de-përshkallëzim. Në të njëjtën kohë, ne jemi duke monitoruar nga afër nëse Serbia i përmbush kërkesat e BE-së dhe në rast mospërputhjeje, BE-ja është e gatshme të marrë parasysh masat.

Ndër të tjera kryediplomati bëri thirrje për dialog. Ai shtoi se perplasjet mes dy vendeve si ato të majit të këtij viti nuk duhet të përsëriten.

Joseph Borrell: De-përshkallëzimi duhet të ndodhë tani, nga të dyja palët. Aktet e dhunshme të 29 majit 2023, të cilat lanë të plagosur shumë nga trupat e Forcave të Kosovës (KFOR) të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, si dhe qytetarë, forca të rendit dhe media (gazetarë), janë krejtësisht të papranueshme dhe nuk mund të ndodhin më në të ardhmen.

Çfarë ndodhi në veri të Kosovës më 24 shtator

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ishte ora 02:34 e mëngjesit, kur një patrullë e policisë së Kosovës, vuri re se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë, ishin vendosur si bllokadë dy kamionë pa targa, duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e mjeteve. Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët e policisë së Kosovës janë përballur me rezistencë, ku nga disa pozicione të ndryshme ndaj tyre është qëlluar me armë dhe me granata dore, e për pasojë humbi jetën Bunjaku, dhe u lënduan dy kolegët e tij.

Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat.Kosova e ka shpallur ditën e sotme një ditë zie kombëtare në nderim të efektivit Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës. Pikëpyetjet mbeten se cili ishte qëllimi i njësisë serbe të armatosur që qëlloi mbi policinë, ndërsa pritet dhe marrja në pyetje e personave të arrestuar brenda në Manastir./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB