Aktualitet

Muxhahedini u largua pas sherrit me anëtarët e MEK në Manëz, Antiterrori nis hetimet

Largimi i tij nga kampi ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, e në rrethana të paqarta, ai është paraqitur në ambientet e Policisë së Shtetit, duke pretenduar se ka pasur një konfrontim fizik në kamp, ku nuk ka pranuar që të kthehet pasi i rrezikohej jeta.

k.m.
Muxhahedini u largua pas sherrit me anëtarët e MEK në Manëz,
Foto ilustruese

TIRANË- Një muxhahedin është larguar nga kampi i MEK dhe ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit. Largimi i tij nga kampi ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, e në rrethana të paqarta, ai është paraqitur në ambientet e Policisë së Shtetit, duke pretenduar se ka pasur një konfrontim fizik në kamp, ku nuk ka pranuar që të kthehet pasi i rrezikohej jeta. Edhe kur drejtuesit e MEK kanë shkuar për ta marrë, ai nuk ka pranuar që të kthehet në kamp. Madje edhe në këtë moment, ka pasur një konfrontim fizik mes tyre pasi kanë tentuar që ta marrin me vete me forcë, duke bërë të detyrueshme edhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit. 

Aktualisht raportohet se ai është strehuar në një shoqatë që kanë anëtarët e MEK, që ndodhet afër Komisariatit nr.4 në Tiranë. Pasi është marrë në pyetje nga policia e komisariatit nr.4 ai ka deklaruar se arsyeja e largimit, ishte sepse nuk binte dakord me rregullat e vendosura brenda kampit.

Në shenjë revolte u largova nga kampi dhe nuk dua të qëndroj më aty,”- mësohet të ketë thënë iraniani sipas Balkanweb.

Për ngjarjen në fjalë, Drejtoria e Antiterrorit është vënë në dijeni dhe ka nisur marrjen në pyetje të rezisdentit të organizatës MEK në Shqipëri, ndërkohë që pritet edhe marrja në pyetje e të tjerëve. Ndërkohë që së fundmi në Shqipëri ka pasur përplasje mes autoriteteve shqiptare dhe MEK. Para disa javësh, iu ndalua hyrja në vendin tonë, shefes së organizatës anti-Iraniane Mujahedin-e-Khalq (MEK), Maryam Rajavi. Rajavi iku në Francë pasi policia shqiptare bastisi kampin e MEK me urdhër të SPAK në qershor. 

Forcat policore shqiptare hynë në kampin e MEK, të njohur si Ashraf-3, më 20 qershor për shkak të angazhimit të saj në sulme terroriste dhe kibernetike kundër institucioneve të huaja. Autoritetet konfiskuan 150 pajisje kompjuterike të lidhura me aktivitete terroriste. Një person humbi jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve në kamp. Banorët e kampit pretenduan se ai u vra nga Policia shqiptare, por ekspertiza nxorri se në fakt kishte ndërruar jetë nga arresti kardiak. Pas përplasjes së 20 qershorit, më shumë se një javë më vonë, Policia shqiptare hyri përsëri në kampin Ashraf-3 dhe forcat e sigurisë u vendosën në hyrje të kampit dhe kontrolluan të gjitha automjetet që dilnin nga vendi. Gjithsej u sekuestruan 150 pajisje kompjuterike, që dyshohet se janë të lidhura me aktivitete terroriste.

Poll

MOS HUMB