
KORÇË- Familjarët e 61-vjeçares Tatjana Dajko, e cila u nda nga jeta tre ditë më parë, kanë hedhur akuza ndaj bluzave të bardha në spitalin rajonal të Korçës. Vajza e të ndjerës, Klotina Topulli ka akuzuar mjekët për neglizhencë ndaj nënës së tyre, ndërkohë që dje policia njoftoi procedimin ndaj mjekëve të turnit A.D. dhe G.R. Vajza shprehet se nëna ka qenë e shëndetshme, dhe nuk ka vuajtur nga asnjë sëmundje, dhe në momentin që e kanë dërguar fillimisht në urgjencë, mjekët e kanë përcjellë në shtëpi, me pretendimin se gjendja i ishte shkakruar nga stresi.
Klotina Topulli, u shpreh për mediat: “E ka marrë vëllai mamanë në 10 pa dhjetë dhe e ka çuar në urgjencën e spitalit. Mami kishte shtrëngim te gjoksi dhe dhimbje në mes të shpatullave. E kanë shpënë atje, i kanë matur tensionin dhe oksigjenin. I kanë bërë një qetësues dhe i kanë vënë një hapje nën gjuhë.
Qëndroi 10 minuta shtrirë dhe i thanë ngrihu se erdhi tjetri, ulu te stolat te korridori i urgjencës. U ul aty, priti pak dhe i vajti tek dera doktoreshës dhe i tha: a do ma matni prapë tensionin, ajo i tha ik se nuk ke asgjë, ke ankth, stres.
Kur doli nga dera e spitalit, ajo po ndihej më keq. Kur erdhi në shtëpi, tha po ndihem akoma më keq prej ilaçeve, nuk ndihem mirë.
E pamë që u bë më keq, rreth orës 19 e 30 kemi marrë ambulancën, e pamë që ambulanca po ashtu… morëm makinën tonë dhe e çuam.
Sa arritëm te dera e spitalit, mamaja ka vdekur, ajo kishte hemorragji nga hundët, nga goja, si mund të thonë ata që ka vdekur për shkaqe të panjohura, natyrale, kur ne e kemi paraqitur në 10 pa dhjetë në spital?
Duhet të marrë masat shteti, mos e pastë fatin asnjë siç e pati mamaja ime nga doktorët.
Nuk vuante nga asgjë, ishte 61 vjeç, mbushi atë ditë që vdiq.
Në spital nuk i bënë asgjë, kur kam hyrë në 19:30 në spital, që mamaja ime sa hyri te dera e spitalit ishte e vdekur, ata kanë marrë EKG-në t’ia bënin.
Kam bërtitur me të madhe, të hapin kamerat, të shikohen. Ku u gjet EKG tani, pse nuk iu bë kur ishte e gjallë?
Nuk i kanë bërë asgjë, e bënë më keq”.
Njoftimi i policisë për procedimin e mjekëve:
Nga Komisariati i Policisë Korçë, u referuan materialet në Prokurori për vlerësim për shtetaset A. D., dhe G. R., të dyja mjeke në spitalin e Korçës, pasi: Familjarët e një 61 vjeçareje që humbi jetën më datë 14.08.2024, paraprakisht dyshohet si pasojë e arrestit kardiak, kanë bërë kallëzim pasi pretendojnë se mjeket kanë treguar neglizhencë në trajtimin mjekësor të 61-vjeçares.
/ZËRI