
TIRANË- Gjatë raportimit në Komisionin Hetimor për koncensionet në Shëndetësi, ish-zëvendësministri Klodian Rrjepaj, ka folur në lidhje me një udhëtim që ka pasur në Itali me ish-ministrin Ilir Beqaj, ku ka qenë i pranishëm dhe biznesmeni Ilir Rapaj. Sipas Rrjepat, së bashku me eprorin e tij Ilir Beqaj, në vitin 2013 ata kanë pasur një vizitë pune në Universitetin e Peruxhias në Itali.
Ai u pyet nga Albana Vokshi nëse biznesmeni Ilir Rrapaj ka qenë pjesë e delegacionit. Rjepaj u përgjigj duke thënë se Ilir Rrapaj ka qenë i ngarkuar nga rajoni për të hartuar draftin e marrëveshjes.
“Ka qenë një vizitë në dhjetor 2013 për të nisur një bashkëpunim me Universitetin të Peruxhias. Unë kam qenë pjesë e delegacionit në Umbria. Ka qenë edhe ministri dhe këshilltari për mediat, mesa mbaj mend. Ne na ka pritur profesor Masimiliano Brili dhe doktoresha Vanesa Rosi. Ka pasur një takim me presidenten e rajonit të Umbrias. Kemi bërë edhe një vizitë studimore në spitalin San Xhovani në Romë” ka thënë ish-zv.ministri i shëndetësisë në komision.
Albana Vokshi: Në të gjitha vizitat ka qenë edhe Ilir Rrapaj pjesë e delegacione dhe Umbro Staccini?
Klodian Rjepaj: Ilir Rrapaj ka qenë i ngarkuar nga rajoni i Umbrias si personi i kontaktit që do mbante lidhjet për të ndërtuar marrëveshjen me rajonin e Umbrias. Ilir Rrapaj ka qenë i ngarkuar nga rajoni për të hartuar draftin e marrëveshjes, jo vetëm me ministrinë e Shëndetësisë, por edhe me ministri të tjera. Unë kam qenë i ngarkuar nga ministri për të hartuar tekstin e marrëveshjes në këtë drejtim.
Ish-Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka thënë fillimisht se nuk e njihte fare biznesmenin Ilir Rrapaj, me të cilin është takuar në Itali gjatë vizitës që përmend zëvëndësi i tij. Por pasi e mohoi në media dhe doli foto e tyre e përbashkët e tyre, që tregoi se Beqaj ishte pritur në Itali nga biznesmeni me të cilin kreu më vonë disa udhëtime dhe i dha koncensionin 100 milion euro, ish-ministri duket se nuk ka një justifikim.
Nga dosja e SPAK, kuptohet se miqësia e Beqajt, Rrapajt dhe Rrjepajt ka vazhduar të paktën deri në vitin 2018, pra 5 vite më pas, e provuar kjo nga udhëtimet e përbashkëta jashtë vendit.
Sipas dosjes së SPAK, udhëtimet jashtë vendit të Ilir Beqes janë disa, si me Admir Dacën që ka firmosur kontratën, ashtu edhe me biznesmenin Ilir Rrapaj, që me 1 mijë euro kapital arriti të “fusë në xhep” pjesën e luanit në 100 milion euro PPP.
“Admir Daca, administrator i shoqërisë koncesionare “Sani Service” që prej datës 01.12.2015 që fitoi koncesionin objekt hetimi dhe shtetasi Ilir Beqaj me detyrë Ministër i Shëndetësisë në atë kohë kanë dalje nga pika kufitare e Rinasit në datën 25.09.2016 në orën 14:15 dhe 14:06. Po ashtu kontaktet dhe udhëtimet jashtë shtetit mes Umbro Staccini dhe Ilir Rrapaj me Ilir Beqaj dhe Klodian Rrjepaj kanë vazhduar edhe pas shpalljes fituese në procedurën e koncesionit, konkretisht kanë hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Rinas në datën 23.05.2017, përkatësisht në orën 23:32 dhe 23:35 si dhe hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Morinë me makinë në datën 13.03.2018 në orën 18:09 dhe 18:10”, ka zbuluar SPAK.