Aktualitet

Inceneratori i Tiranës, 4 persona në pranga, 3 në kërkim! Dokumentet e koncensionit i hartoi vetë Klodian Zoto

Nga 15 masa sigurie, janë arrestuar 4 persona, Kokës dhe Bllakos iu është njoftuar masa në burg. 3 persona mbeten në kërkim, 6 në arrest shtëpie

E.K
Inceneratori i Tiranës, 4 persona në pranga, 3 në kërkim!
Disa prej zyrtareve qe eshte leshuar mase sigurie

TIRANË- 4 persona janë vënë në pranga me urdhër të SPAK, në lidhje me inceneratorin e Tiranës, mes tyre dhe drejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha

Tusha sipas Prokurorisë së Posaçme, njoftonte me email Klodian Zoton, për planin e përdorimit të fondeve nga buxheti i shtetit në favor të bashkive të qarkut Tiranë për përmbushjen e detyrimeve që rridhnin nga kontrata koncesionare për landfillin e Sharrës, e cila ishte firmosur disa muaj më përpara.

E-maili i Tushas në adresë të Klodian Zotos mban datën 21 Maj 2018. Ndërkohë, 10 ditë më vonë, në 31 Maj 2018, Këshilli i Ministrave miraton propozimin e Ministrisë së Infrastrukturës për përdorimin e fondeve nga buxheti i shtetit në favor të bashkive të qarkut Tiranë për pagesën e tarifave të mbetjeve.

Inceneratori i Tiranës, 4 persona në pranga, 3 në kërkim!
Pjese nga dosja

Në pranga kanë rënë gjithashtu dhe Namik Simixhiu, ish anëtar i Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të Tiranës, Bledar Karoli, ish-zyrtar i Ministrisë së Energjisë si dhe Jetmir Llapaj. Ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim shtetasin Erjon Murataj, i cili nuk është gjetur në banesë gjatë kontrolleve. Murataj ka qenë anëtar i Komisioni Prokurimit për Inceneratorin e Tiranë.

Ndërkohë që iu është komunikuar masa e sigurisë arrest me burg dy ish-deputetëve të vënë pas hekurave, Lefter Koka, ky i fundit Ministër Mjedisi në kohën e inceneratorëve dhe Alqi Bllakos. Ata kanë edhe një dënim të mëparshëm për inceneratorin e Fierit, dhe tashmë do të përballen me akuzë të re, pasi hetimet janë veçuar.

Ndërkohë që në kërkim mbeten edhe dy bosët e kompanive të inceneratotëve Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. SPAK ka dhënë masë më të butë sigurie për të gjitha gratë që janë në listën e të dyshuarave, duke kërkuar për to “arrest shtëpie”. Bëhet fjalë për shtetaset Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Sidita Tola.

Sidita Kopliku, ka qenë anëtare në komisionin për zhvillimin e procedurës koncensionare të Tiranës, si përfaqësuese e Agjensisë së Trajtimit të Koncensioneve. Kohë më parë ajo ka deklaruar para prokurorëve se ka pasur presione nga titullarja e institucionit, Rovena Beqiraj, ku prej saj nxitej që procedura koncensionare për Tiranën të finalizohej me sukses.

Alba Thoma, ka mbajtur postin si drejtoreshë Juridike e Ministrisë së Drejtësisë. Valbona Ballgjini është ish- anëtare e Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të Tiranës.

Prokuroria e Posaçme ka dhënë njoftimin zyrtar për hetimet mbi inceneratorin e Tiranës që çuan në pranga disa zyrtarë të Bashkosë dhe pushtetit qëndror. Në njoftimin e SPAK janë renditur një sërë shkeljesh të kryera nga 15 personat për të cilët u dha masa e sigurisë, në mesin e të cilave thuhet se dokumentet e koncensionit u hartuan nga kompania e Klodian Zotos dhe jo nga institucionet përgjegjëse.

SPAK është ndalur në 7 pika ku sipas prokurorisë janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin. Pika e parë e cila evidentohet nga SPAK, është bonusi prej 8 pikëve që i është dhënë kompanisë “Integrated Energy BV”.

Sipas SPAK anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, të përbërë nga shtetasit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me shtetasit Lefter Koka në cilësinë e Ministrit të Mjedisit, Alqi Bllako në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Mjedisit dhe shtetasi Bledar Karoli, Përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.

Në pikën e dytë thuhet se shoqëria propozuese “Integrated Energy BV”, në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria “Integrated Technology Services” kanë qënë në dijeni të rrethanave të koncensionit para shpalljes së procedurës.

Kjo ka ndodhur në sajë të ndihmës së dhënë nga vetë funksionarët e Ministrisë së Mjedisit, Lefter Koka, Alqi Bllako, Alba Thoma, Bledar Karoli, si dhe nga anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, shtetasit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu i kanë dhënë.

Së treti rezulton se Dokumentet Standarte të Procedurës së Koncesionit janë hartuar nga punonjësit e shtetasit Klodian Zoto.

Së katërti nga aktet e administruara rezultojnë të dhëna fiktive të vendosura në studimin e fizibilitetit, të cilët kanë rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore, 29 Euro/ton.

Së pesti, rezulton se shtetasi Alqi Bllako, nën cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, në mënyrë indirekte, ka përfituar në mënyrë të parregullt nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, vlerën monetare prej 119,755 Euro, me qëllim favorizimin gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, shoqërinë koncesionare “Integrated Energy BV”.

Së gjashti rezulton se shtetasi Klodian Zoto, në bashkëpunim me shtetasin Mirel Mërtiri, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409,428,000 (katërqind e nëntë milion e katërqind e njëzet e tetë mijë) lekë, ku shtetasi Klodian Zoto është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij, “Integrated Energy Services” sh.p.k, si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.

Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Një pjesë e madhe e këtyre vlerave monetare të siguruara në sajë të mashtrimit, janë tërhequr në cash dhe janë transferuar në mënyra të ndryshme jashtë vendit nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, që përbëjnë edhe produkt të veprës penale.

Së shtati, rezulton se punonjësit e Qendrës Kombëtare të Biznesit, të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, shtetasit Jetmir Llapaj dhe Silena Tola, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, si dhe VKM nr.1008, datë 24.12.2020, “Për përcaktimin e mënyrës dhe të procedurave të regjistrimit e publikimit të të dhënave për pronarët përfitues, si dhe të njoftimit nga autoritetet shtetërore kompetente e nga subjektet e detyruara”.

Akuzat 

-Lefter Koka, ish Ministër i Mjedisit, dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

-Alqi Bllako, ish Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë të shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dy herë.

-Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Etleva Kondi, Alba Thoma, Bledar Karoli, Valbona Ballgjini, Sidita Temali, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Silena Tola, Jetmir Llapaj, dyshohen se kanë konsumuar veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

-Klodian Zoto, dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, në bashkëpunim, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.

-Mirel Mërtiri, dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, në bashkëpunim,  “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB