
TIRANË- Paraditen e sotme do të dalin para Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë, 4 personat e vënë në pranga për inceneratorin e Tiranës. Me urdhër të SPAK u vunë në pranga të premten Taulant Tusha, drejtori i punëve publike në Bashkinë e Tiranës, Namik Simixhiu, ish anëtar i Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të Tiranës, Bledar Karoli, ish-zyrtar i Ministrisë së Energjisë si dhe Jetmir Llapaj.
Ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim shtetasin Erjon Murataj, i cili nuk është gjetur në banesë gjatë kontrolleve. Murataj ka qenë anëtar i Komisioni Prokurimit për Inceneratorin e Tiranës.
Ndërkohë pritet t’iu konfirmohet masa e sigurisë arrest me burg dy ish-deputetëve të vënë pas hekurave, Lefter Koka, ky i fundit Ministër Mjedisi në kohën e inceneratorëve dhe Alqi Bllakos. Ata kanë edhe një dënim të mëparshëm për inceneratorin e Fierit, dhe tashmë do të përballen me akuzë të re, pasi hetimet janë veçuar.
Ndërkohë që në kërkim mbeten edhe dy bosët e kompanive të inceneratotëve Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. SPAK do të kërkojë masë më të butë sigurie për të gjitha gratë që janë në listën e të dyshuarave, duke kërkuar për to “arrest shtëpie”.
Bëhet fjalë për shtetaset Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Sidita Tola.
Masa e arrestit të shtëpisë do të kërkohet dhe për Pëllumb Abeshin.
Akuzat
-Lefter Koka, ish Ministër i Mjedisit, dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.
-Alqi Bllako, ish Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë të shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dy herë.
-Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Etleva Kondi, Alba Thoma, Bledar Karoli, Valbona Ballgjini, Sidita Temali, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Silena Tola, Jetmir Llapaj, dyshohen se kanë konsumuar veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.
-Klodian Zoto, dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, në bashkëpunim, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.
-Mirel Mërtiri, dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.