Aktualitet

Shqiptarët udhëtuan më shumë në 2022, si ndahen burrat dhe gratë në preferenca

Sipas Instat, në vitin 2022, numri i udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi (brenda apo jashtë Shqipërisë), të kryera nga individët banues në Shqipëri të moshës mbi 15 vjeç ishte 3.746.993.

E.K
Shqiptarët udhëtuan më shumë në 2022, si ndahen burrat
Foto ilustruese

TIRANË- Shqiptarët udhëtojnë më shumë jashtë vendit për vitin 2022. Këtë e bën me dije Instituti i Statistikave në një anketë mbi Turizmin, Pushimet dhe Udhëtimet. Sipas Instat, në vitin 2022, numri i udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi (brenda apo jashtë Shqipërisë), të kryera nga individët banues në Shqipëri të moshës mbi 15 vjeç ishte 3.746.993.

Numri mesatar i netëve të qëndrimit për udhëtime të kryera është 5,1 netë. Sipas shifrave, në vitin 2022, janë regjistruar rreth 8,3 % më shumë udhëtime në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, krahasuar me vitin 2021.

Karakteristikë e këtij viti është rritja e shënuar për udhëtimet për qëllime personale dhe biznesi jashtë Shqipërisë, shkruan Monitor.

Mosha që udhëton më shumë sipas INSTAT është 25-34 vjeç. Analizimi i udhëtimeve sipas gjinisë së udhëtarit, në vitin 2022, na tregon se përqindjet më të larta të udhëtimeve, brenda Shqipërisë, janë kryer më shumë nga udhëtarët femra (50,3%), ndërsa udhëtimet jashtë Shqipërisë janë kryer më shumë nga udhëtarët meshkuj (55,3%).

Përpos destinacioneve të preferuara gjithmonë nga shqiptarët për udhëtime jashtë vendit si Greqia dhe Italia, në vitin 2022 në listën e të preferuarve të shqiptarëve janë shtuar dhe Spanja e Anglia. 

Ndërsa për udhëtimet brenda vendit për qëllime personale apo biznesi, kryesojnë listën Tirana, Korça, Vlora dhe Durrësi. Ndëkrohë sa i takon transportit anketa zbulon se rreth 3,33 milionë udhëtime janë kryer nëpërmjet transportit rrugor të cilët përbëjnë 88,9 % të të gjithë udhëtimeve të kryera në vitin 2022, raporton Monitor. Rritja më e lartë është regjistruar në transportin ajror me 6,1 pikë përqindje./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB