Aktualitet

Investigimi i Sunday Express: Si yjet shqiptarë të TikTok po rrisin punonjësit e drogës në Britani. Patel: Kriminelë të poshtër

Media britanike përmend vëllezërit Aleks dhe Dor Visha, që mburren për ‘korrjet’ e suksesshme në rrjetet sociale. Ndërkohë që ish-sekretarja britanike Patel bën thirrje që postimet e tyre të fshihen nga rrjetet sociale

E.K
Investigimi i Sunday Express: Si yjet shqiptarë të TikTok po rrisin
ne foto kryesore aleks visha

BRITANI E MADHE- Media britanike Sunday Express, i ka kushtuar një investigim të veçantë përfshirjes së shqiptarëve në trafikun e drogës në Angli, ndërsa ka folur për ndikimin që shumë të rinj, kanë nga personazhet e famshëm të rrjeteve sociale, kryesisht të Tik Tok. Një prej atyre që përmendet në këtë artikull në variantin print, është Aleks Visha dhe vëllai i tij Dori. Me foton e Aleksit shoqërohet dhe shkrimi i botuar në median britanike me mbishkrimin ‘Gjigandët e mediave sociale, po ndihmojnë në nxitjen e fluksit të punonjësve shqiptarë të drogës në Britaninë e Madhe. Më poshtë ZËRI ju sjell shkrimin e plotë të Sunday Express:

Gjigantët e mediave sociale po ndihmojnë në nxitjen e fluksit të punonjësve shqiptarë të drogës në Britani, duke promovuar jetën e tyre, dhe sesi ata janë shndërruar në super yje të rrjeteve sociale. Një nga personazhet më të famshëm të internetit në Shqipëri, Aleks Visha, u bë i famshëm përmes lidhjeve live që bënte nga fermat e kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar, duke u mbyrrur me aktivitetin e tij dhe të të vëllait, Dorit. Të dy ata kanë më shumë se 1 milionë ndjekës në rrjete të ndryshme sociale. Aleks, i quajtur "Mbreti i Tik Tok", pretendon në një video se po mbikëqyr një perandori britanike të drogës që prodhon deri në 2300 bimë çdo dy muaj. Në një tjetër video bashkë me të vëllanë, ai krenohet para më shumë se 200 mijë ndjekësve, se po festonin një ‘korrje të suksesshme’. Por Dor dhe Aleks Visha nuk janë të vetmit në shpërndarjen e këtyre lloj videove.

Një hetim i madh i Sunday Express zbuloi përmbajtje virale në gjuhën shqipe, të cilat janë parë miliona herë, të cilat promovojnë stilin e jetesës së punonjësve të drogës në Mbretërinë e Bashkuar, persona të cilët kanë udhëtuar ilegalisht. Madje në këto video, ata iu tregojnë shikuesve të tyre, se si mund të udhëtojnë ilegalisht drejt Britanisë së Madhe. Në këto video zbuluan gjithashtu që në gjuhën shqipe, janë promovuar prej vitesh fermat e kanabisit.

Nga posterat dixhitalë të kërkuar që kërkojnë informacion mbi hajdutët deri te klipet e grabitjeve të dhunshme, dosja jonë e provave zbulon se si mediat sociale po shfrytëzohen nga bandat si një mjet për krimin.

Adoleshentët vulnerabël shqiptarë ekspozohen rregullisht ndaj postimeve të tyre, duke i inkurajuar ata të udhëtojnë ilegalisht në Britani për t'u pasuruar shpejt, sipas të rinjve që intervistuam në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.

Mbrëmë, ish-sekretarja e Brendshme Priti Patel deklaroi: “Publiku britanik do të jetë i neveritur nga Tik Tok dhe Instagram që lejojnë kriminelët të promovojnë stilin e tyre të jetesës dhe të inkurajojnë të tjerët të vijnë në Britani ilegalisht për të prodhuar drogë”.

"Material si ky është i gabuar dhe kompanitë e mediave sociale duhet të marrin përgjegjësinë për të hequr këto përmbajtje, dhe të punojnë me agjencitë tona të zbatimit të ligjit për të identifikuar shpejt njerëzit që prodhojnë këtë përmbajtje në mënyrë që ata të përballen me forcën e plotë të ligjit."

Ajo shtoi: “E përshëndes Sunday Express për hetimin e kriminalitetit të pacipë dhe besoj se agjencitë tona do t'i përdorin këto prova për të vepruar urgjentisht dhe për t'u marrë me përgjegjësit”.

"Marrëveshjet e kthimit që kemi me Shqipërinë, të cilat unë i kam negociuar, duhet të nënkuptojnë se ne mund të veprojmë për të hequr kriminelët e poshtër nga vendi ynë menjëherë në mënyrë që të mbrojmë qytetarët, si dhe të pengojmë të tjerët që kërkojnë të hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar”.

Lektori i lartë i Universitetit të Essex, Dr Alexandros K Antoniou tha se gjetjet e Sunday Express janë një shembull tjetër "shqetësues" se si media sociale po "lehtëson" krimin në botën reale.

Eksperti i së drejtës mediatike shtoi se zbulimi që personazhet e famshëm të rrjeteve sociale në Shqipëri, kishin promovuar një mënyrë jetese kriminale në Mbretërinë e Bashkuar, ishte një zhvillim shqetësues për fenomenin e influencuesit, ku njerëzit e zakonshëm ndjekin shembujt e tyre.

Loku, 25 vjeç, nga Tirana, tha se u frymëzua nga rrjetet sociale, për të shkuar me gomone në Britaninë e Madhe, dhe për t’u bërë punonjës droge. Ai ishte i bindur të bënte udhëtimin pasi pa shfaqje falas në internet të pasurisë nga ata që pretendonin se kishin drejtuar ferma kanabisi në Mbretërinë e Bashkuar.

Ai tha: "Natyrisht që kam parë video të tyre në rrjetet sociale. Disa kanë fituar 200,000 ose 300,000 £. Sapo u kthyen blenë një makinë, hapën një biznes, lëviznin nëpër qytet, në Tiranë apo qytete të tjera të Shqipërisë dhe ishin të pëlqyer nga vajzat”.

“Kur sheh njerëz të tillë të hyn në mendje një obsesion, si “Pse të mos i kem edhe unë këto gjëra?”

Kur vendosi të shkonte në Britani, Loku tha se përdorte TikTok për t'u lidhur me një trafikant për të bërë udhëtimin. Në fund ai dështoi dhe u kthye në Shqipëri, por mbetet ëndrra e tij për të fituar pasurinë e tij në një fermë droge në Mbretërinë e Bashkuar.

Investigimi i Sunday Express: Si yjet shqiptarë të TikTok po rrisin
Shkrimi i plote ne print

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB