
TIRANË- Ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika, është paraqitur këtë të martë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Por ka dalë shumë shpejt nga ambientet e SPAK, vetëm 30 minuta pasi hyri për të dhënë dëshminë e tij, duke bërë edhe një prononcim të shkurtër për mediat.
"Isha për një procedurë të bërë në kohën kur drejtoja ARRSH,"-është shprehur Xhika para kamerave.
Xhika ka qenë i dënuar më parë nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Në vitin 2018, Dashamir Xhika, asokohe drejtues ARRSH-së u arrestua për korrupsion. Bashkë me të, përfunduan në qeli edhe dy vartësit e tij, Albens Alite dhe Aksel Qorduka. Akuza e ngritur ndaj tij ishte abuzimi me fondet e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan.
Pas hetimeve, prokurorët Krimeve të Rënda nuk gjetën prova për të vërtetuar korrupsionin. Si pasojë, në tetor të vitit 2018 ata ia kaluan dosjen prokurorisë së Tiranës për të hetuar për shpërdorim detyre.
Dosja e dyshuar e korrupsionit të rrugës Tiranë-Elbasan u mbyll dhe zyrtarët u liruan nga burgu.
Dashamir Xhika ishte kandidat për deputet i LSI në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e vitit 2017.
/ZËRI