
KUKËS- Ish-prefekti i Kukësit Granit Gjana është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjana, aktualisht është në masën e sigurisë “Pezullim nga ushtrimi detyrës”, por nuk dihet se përse është thirrur sërish në SPAK edhe ditën e sotme.
Masa ndaj Gjanës u vendos me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme pas një hetimi të kryer për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”; procedurë që ishte kryer nga Bashkia e Kukësit, ky ai kishte postin e nënkryetarit. Post që e ka lanë tani që po përballet me drejtësinë. Pas ngritjes së akuzës ndaj SPAK, Granit Gjana u pezullua nga detyra si prefekt i Kukësit, detyrë që mbante prej muajit shtator, pasi akuzohet se ka penguar një kompani të merrte pjesë në tendera të Bashkisë së Kukësit.
Në kohën kur Gjana zëvendësoi Safet Gjicin në krye të Bashkisë së Kukësit, ka penguar një kompani që të merrte pjesë në 2 tendera për “blerje karburanti” në vlerën 21 milionë lekë. Pra në procedurat e nisura nga Autoriteti Kontraktor, zëvendëskryetari i Bashkisë ka ndërhyrë dhe ka dëmtuar interesat e kompanisë “U. C. Sh.p.k.", ndaj dhe do të hetohet për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Sipas Kodit Penal, kjo vepër penale dënohet me burgim deri në tre vite burg.
Emri i Gjanës ishte përmendur edhe në kohën e arrestimit të Safet Gjicit, pasi ky i fundit i kishte lënë porosi që të merrej me projektin që propozonte Alma Kaçi për strehimin e qenve. Por megjithatë, Gjana në rastin e parë nuk u ngarkua me asnjë akuzë nga SPAK, e madje disa muaj më vonë socialistët i besuan dhe detyrën e prefektit./ZËRI