
SHKODËR- Edmond Nika, një nga katër personat që është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit për atentatin e djeshëm në Dukagjin, është vetëdorëzuar në Komisariatin e Shkodrës për të sqaruar të vërtetën e tij. Në rrëfimin e bërë, Nika pretendon se nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e Zef Gurit dhe plagosjen e djalit të tij, Gjinit në Malin e Shoshit në Dukagjin.
“Nuk kam lidhje me ngjarjen dhe kam qenë gjithë ditën e djeshme në kamera,”- është shprehur 28-vjeçari.
Nuk ke asnjë lidhje me vrasje?
Edmond Lika: Nuk e di as vetë këtë histori. Kjo histori është krejt e kotë për mua. Jo, jo, as nuk diskutohet. Me pas lidhje unë s’ka shanse hiç në botë.
Deklaruar që jeni i pafajshëm?
Edmond Lika: I pafajshëm në lidhje me atë çështje. Kam qenë këtu në Golem. Zona e Hotit e kap. Ka mundësi të jetë faji i mediave, jo i Policisë. Deklarova që isha i pafajshëm.
Ju e vërtetoni që keni qënë dje pranë Stom-Golemit?
Edmond Lika: Normal, e vërtetoj me kamera me çfarë të doni, në daç me dëshmitarë.
I keni dorëzuar kamerat?
Edmond Lika: Jo, s’kam dorëzuar se s’më kanë kërkuar kamera. Në qoftë se është e nevojshme edhe kamerat ja u dorëzoj kur të duan.
Kur ka qenë hera e fundit që keni qenë në Dukagjin?
Edmond Lika: Hera e fundit ka nja 3 muaj që s'kam qenë në Dukagjin.
Për konfliktin ke dijeni?
Edmond Lika: Jo, në botë. I njoh babë e bir, kam lidhje gjaku...të parët e mi. Nuk kam ditur gjë në botë derisa më morën sot në telefon. Ndeza televizorin, më kishte dalë emra. Erdha se s'kisha pse të fshihesha.
Por nuk është i vetmi i dyshuar për ngjarjen, pasi në kërkim janë edhe: Martin Qershija, 28 vjeç, Kujtim Dholla, 25 vjeç, dhe Çesk Serraj, 36 vjeç.
Mbrëmë në Dukagjin u vra Zef Guri, 73 vjeç dhe u plagos djali i tij, Gjin Guri 46 vjeç, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e traumës në Tiranë. I plagosuri Gjin Guri nuk është një emër i panjohur për policinë. Në vitin 2015, atëherë 38-vjeçar, ai figuronte në listën e 10 personave të shpallur në kërkim pasi qëlloi me armë ndaj helikopterit të Policisë së Shtetit që patrullonte zonën e malësisë për parcela me kanabis. Ndërsa në 15 nëntor të vitit 2021, në lokalin e tij u vendos tritol. Pistat që po hetohen janë të shumta, por më kryesorja është konflikti për kanabisin e mbjellë në zonën e Dukagjinit./Zëri.ai