Aktualitet

Izet Haxhia do transferohet nga burgu i Reçit në atë të Rrogozhinës! Avokati: I rrezikohet jeta

Këtë e ka barë me dije avokati i tij, Idajet Beqiri.

E.K
Izet Haxhia do transferohet nga burgu i Reçit në atë të
Izet Haxhia

TIRANË- Ish-truproja i Sali Berishës, Izet Haxhia do të transferohet nga burgu i Reçit në atë të Rrogozhinës. Këtë e ka barë me dije avokati i tij, Idajet Beqiri. Ky i fundit shprehet se klientit të tij i rrezikohet jeta ndërsa ka bërë thirrje ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja që të marrë masa, për të ndaluar një krim që sipas tij është i paralajmëruar.

Idajet Beqiri: Izet Haxhia vuan dënimin në Burgun e Reçit, në pritje të gjykimit të radhës në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Në mënyrë të papritur dhe me një sfond tepër të dyshimtë, është njoftuar se nesër do të transferohet në Burgun e Rrogozhinës, pikërisht në këtë burg ku jeta e tij është ekstremisht e rrezikuar. Nuk ka asnjë arsye objektive për këtë transferim, pasi sjelljet e Izet Haxhisë në Burgun e Reçit kanë qënë dhe janë shëmbullore. Asnjë shkelje sado e vogël disiplinore nuk i është evidentuar gjatë gjithë kohës së vuajtjes së dënimit në këtë burg. Një urdhër i dyshimtë, me suport politik dhe hakmarrës, duke e ditur që Izet Haxhia para se të transferohesh në Burgun e Reçit, ka evidentuar me prova të pakontestueshme se jeta e tij ishte e rrezikuar në Rrogozhinë, Peqin, Burrel..., autoritetet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve e çuan në Burgun e Reçit. Tashmë, pikërisht atje ku jeta e Izet Haxhisë është e rrezikuar, ku elementë të burgosur armiq të tij, për shkak të raporteve armiqësore të Izet Haxhisë me Sali Berishën, kërkojnë që nesër t'a transferojnë pikërisht në Burgun e rrezikut. Apeloj para Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe para Ministrit të Drejtësisë Ulusi Manja të parandalojnë një krim të paralajmëruar.

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të vitit 2022, për dënimin me 21 vite burg të Izet Haxhisë. Ky i fundit është shpallur fajtor për vrasjen e deputetit Azem Hajdari në vitin 1998. Ishte Apeli i Gjykatës së Tiranës, më 31 tetor 2022, që e shpalli fajtor Haxhian, duke e dënuar me 21 vjet burg, për akuzën e “vrasjes me paramendim”, ndërkohë që Prokuroria kërkoi 25 vite heqje lirie. Por, edhe pse e kërkoi, Izet haxhisë nuk iu pranua as procedura e gjykimit të shkurtuar nga e cila do të përfitonte uljen e 1/3 të dënimit.

Dosja e vrasjes së Hajdarit u kthye për t’u rigjykuar nga e para në dhomën penale të Gjykatës së Tiranës. E gjitha pas ekstradimit të Haxhisë dhe kërkesës së tij në vitin 2018 për t’u përballur edhe njëherë me të gjithë dëshmitarët e ngjarjes, përfshirë edhe liderin historik të PD-së, Sali Berisha. Izet Haxhia ishte dënuar në mungesë me 25 vite burg për vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari. Pas 17 vitesh në mungesë dhe azil në Turqi, Haxhia është rikthyer me vullnetin e tij në Shqipëri duke kërkuar rihapjen e dosjes, pasi ai kurrë nuk i ka pranuar akuzat e ekzekutimit të deputetit Azem Hajdarit në vitin 1998 jashtë godinës së selisë blu, më 12 shtator 1998.

Haxhia u arrestua në Turqi në vitin 2006, pasi ishte në listën e të kërkuarve të Interpol Tiranës por më pas kërkoi strehim politik në Turqi, me argumentin se i rrezikohej jeta. Ndërsa në 2018 Gjykata e Lartë Turke aprovoi ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, duke nisur kështu edhe betejën me drejtësinë shqiptare për Haxhinë, i cili kërkoi edhe dëshminë e Sali Berishës dhe të ish-truprojës së Azem Hajdarit, por asnjë prej tyre nuk u mor parasysh nga gjyqtarët e çështjes. Për vrasjen u dënua dhe vëllai i Izetit, Ismet Haxhia me 20 vite heqje lirie, por tani e ka kryer dënimin dhe i është rikthyer jetës normale. Ndërsa bashkëpunëtori tjetër Jaho Salihi (Mulosmani) është dënuar me burg përjetë.

Izet Haxhia ka qenë truproja i parë Sali Berishës kur ai u zgjodh President në vitin 1992. I ardhur nga Tropoja për të studiuar mjekësi në fillim të viteve ‘90, Haxhia, pjesëtar i një familje të madhe, simpatizoi bashkëpatriotin e tij pedagog dhe mjek i njohur, Sali Berisha duke pranuar ta mbronte 24 orë në ditë. Lë studimet në mes dhe i shërben si truprojë Sali Berishës pa u ndarë për mbi 8 vjet, që nga viti 1990 deri në vitin 1998./ZËRI

Poll

MOS HUMB