TIRANË- Jamarbër dhe Argita Malltezi kanë dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kundërshtuar sekuestron mbi pasuritë e tyre. Mësohet se rekursi është paraqitur kundër vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si dhe të Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Në kërkesë përfshihet heqja e masës së sekuestros mbi pasuri të paluajtshme, si edhe kundërshtimi i administrimit të tyre nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme.
Më 16 janar të këtij viti, Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi sekuestrimin e pasurive të Jamarbër Malltezit, i cili është marrë i pandehur për dosjen Partizani. Në muajin mars të vitit të kaluar ishte Gjykata Kushtetuese që pas shqyrtimit të ankimimit rrëzoi padinë e bashkëshortëve Jamarbër dhe Argita Malltezi, që në nëntor 2024 i kërkuan kthimin e 25 pasurive të bllokuara për shkak të dosjes ‘Partizani’.
Gjykata ka vendosur të mos e zbresë në seancë plenare çështjen, duke lënë kështu të ngrira 16 pasuri të paluajtshme, gjashtë llogari në emër të Malltezit dhe aksionet e shoqërisë Home Plan. Më herët kishte qenë Gjykata e Lartë dhe Apeli i GJKKO që kishin lënë të pandryshuar vendimin.
Në vitin 2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me kërkesë të SPAK, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 25 pasuri të paluajtshme në pronësi të tij dhe bashkëshortes, Argita Malltezi, mes tyre 6 llogari bankare.
Përveç apartamenteve dhe një vile, janë sekuestruar ndër të tjera dhe tre kompani, konkretisht në Homeplan shpk, ku Jamarbër Malltezi ka 45% të aksioneve, Magnet IMO shpk ku ka 100% të aksioneve dhe Magnet Gym and Fit, ku ka 60% të aksioneve./ZËRI