
TIRANË- Ish-numri dy i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani vari në gozhdë uniformën e tij për t'ju futur biznesit privat! Në prill të vitit 2014, kur doli në Komisionin Hetimor për lëvizjet në Policinë e Shtetit, Breçanit iu evidentua edhe biznesi që kishte nisur të lulëzonte në treg që në vitin 2005. Por asokohe (edhe pse i përfshirë), e mohoi se kishte lidhje edhe me biznesin e vëllezëve të tij. Zyrtarisht, kishte të drejtë, pasi pronari i vetëm, edhe pse Erzeni e ndihmonte dhe njihej nga mediat si përfaqësues i "Breçani Security", ishte i vëllai Fatbardhi!
Taulant Balla: A keni një biznes privat? Si psh. ”Breçani Security?”
Breçani: Ju mund ta verifikoni vetë tani, unë nuk kam asnjë lidhje me të, por janë vëllezërit e mi, njerëz me arsim të lartë e të ndershëm, që punojnë e kanë hallet e tyre.
Megjithatë, të parën kompani në emrin e tij e hapi vetëm në vitin 2022...për të investuar në energjinë elektrike. Në një prej aktiviteteve të kompanisë së tij ishte shfrytëzimi i limit të Gashit, degë e lumit Valbonë në Tropojë. Por është e dedikuar edhe në shërbimet e internetit apo dhe të "IT". Edhe kompania e tij ka të njëjtën adresë me të vëllait të tij, në një qendër tregëtare në Tiranë.
Breçani Security
ADRESA: -Tiranë, Njësia Nr. 2, Rruga "Papa Gjon Pali II", ABA Business Center, Kati përdhe, Zyra nr. 01
Kompania Breçani
ADRESA: -Tirane, Rr. “Papa Gjon Pali II, ABA Business Center, K. perdhe, z. 01, Tirane”
Me statusin e ish-zyrtarit të lartë të drejtësisë, por edhe si përfaqësues i kompanisë së sigurimit, Breçanit iu hapën të gjithë dyert e studiove televizive. Përveç kohës kur i biri, Jehoni aksidentoi një vajzë, ish-zv.drejtori i Policisë ishte kudo.
Fliste për krimin, për aksionet e shkuara të Policisë së Shtetit në botën e krimit, e për shumë e shumë tema të tjera që kanë pasur ndikim në opinionin publik. Mes tyre edhe për zhdukjen e Ervis Martinajt.
Por pse është kaq e gabuar që të flasë për Ervis Martinajn?
Listojmë ngjarjet! Viti 2018, Ervis Martinaj përplaset me armë zjarri në ish-Bllok me Matën. Plagoset në qafë dhe përfundon në burg prej gjithë përleshjes së tyre. Megjithatë në dëshminë e tij, Martinaj ia kishte hedhur fajin Fabiol Gaxhës, viktimë e përplasjes, duke pretenduar se kishte miqësi me "Bolin", të cilin e quante edhe "dele".
"Me Ervin Matën s’kam pasur lidhje fare. Me të jam takuar rastësisht. Unë jam rritur me babën e Ervinit. Vetëm Fabi është fajtor në këtë mes, por sherri nuk ishte aq i madh sa për të goditur aq shumë plumba. Unë isha ai që i thashë Fabit ‘mos’ se po të mos kisha ndërhyrë unë, ‘kokëmadhi’ do të kishte vdekur sot, pasi ai e kishte të pamundur të qëllonte se e kishin kapur nga krahët e s’kishte mundësi të nxirrte armën. Ai u tregua legen, pasi kur unë i thashë Fabit, ‘mos, çfarë po bën’, ai gjuajti me refleks. Do të ishte Fabi gjallë dhe nipçja ime nuk do të kishte vdekur, se ai i vdekur është. Jeni duke më rënë në qafë kot, pasi unë isha duke pirë një gotë. Ervin Mata është një dele. Ai tani do të jetë në një copë dhomë, duke pirë. Unë s’kam asnjë lloj konflikti me të, por do të flas me babin e tij dhe do i them të vijë të sqarojë. Ai ka frikë se mos ngel në burg, se ju e arrestoni, e mbani kot."
Në verën e 2022, Ervis Martinaj u zhduk. Nuk donte shumë mend për të kuptuar rëndësinë e zhdukjes së tij, ngjarje që edhe sot është e pazgjidhur. Me ardhjen e shtatorit, të gjitha emisionet televizive u mbushën me raportimin e lajmit dhe zbulimin e detajeve. Pyetja kryesore ishte një për të gjithë: Gjallë është apo ka vdekur? Përgjigje për të dha edhe Breçani.
Edhe pse në konflikt të pastër interesi, sërish u ftua dhe foli për ngjarjen, në një kohë kur djali i tij, gjithashtu në kërkim nga SPAK, është i martuar me motrën e Matës. E vetë Erzeni ishte kthyer më shumë si një "truprojë" të biznesmenit të kthyer në kokë krimi në Shqipëri.
Por sërish iu dha e drejta për të komentuar. Dhe çfarë komentimi! Brenda një harku kohor të shkurtër, ka dhënë dy versione të ndryshme. Ish-drejtori i Policisë, Erzen Breçani tha se Martinajt i ka ndodhur një e keqe shumë e madhe.
Erzen Breçani: Hetimet mbi zhdukjen e Evis Martinajt duhet të nisin nga vrasja pasi i gjithë grupi i tij janë vrarë, këta janë element të krimit të organizuar. Ky hetim për zhdukjen e tij do zgjasi jashtëzakonisht shumë, shteti nuk e ka seriozisht këtë ngjarje. Do uroja të ishte inskenim se boll ka të vrarë. Por u besoj familjarëve të tyre por jam i bindur se atij i ka ndodhur një gjë e keqe e madhe.
Pak kohë kaloi dhe versioni ndryshoi. Në programin "Shqipëria LIVE", ish-drejtuesi i lartë i policisë, Erzen Breçani, ka folur lidhur me personin, i cili mbronte Ervisin, Jeton Lami, ku më 20 shtator ai do të dalë para drejtësisë.
"Jeton Lami nuk kishte detyrë nga eprorët për të punuar në detyrën e operacionales, kishte detyrë të mbronte Ervis Martinajn. Ai ishte i paguar të mbronte Ervis Martinajn nga policia. Ai merrte një rrogë në shtet ku nuk paraqitej dhe një rrogë tjetër nga personi që i ka thënë të mbrojë Ervisin. Kjo tregon se sa i inkriminur është shteti ynë. Ervis Martinaj është gjallë dhe do të vazhdojë të jetë gjallë në politikën shqiptare,"-shprehej Breçani.
Pse gjithë ky ndryshim? A kishte vallë lidhje ndryshimi i kursit të tij me lajmet që nisën të publikoheshin? Disa media shkruan për një konglomerat grupesh kriminale që ishin bërë bashkë kundër të ashtuquajturit, bossi i lojrave të fatit. Mes tyre u përmend edhe Ervin Mata, bashkë me shumë armiq të tjerë që Martinaj kishte krijuar gjatë "karrierës" së tij./Zëri.ai