
TIRANË – Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë ka reaguar në lidhje me tensionet në Kuvendin e Shqipërisë. Ambasada shpreh shqetësim në lidhje me zhvillimet në Kuvend.
“Ambasada Britanike në Tiranë shpreh shqetësimin lidhur me zhvillimet më të fundit në Parlamentin e Shqipërisë. Një parlament që funksionon dhe dialogu konstruktiv mes përfaqësuesve të zgjedhur janë thelbësorë për të garantuar legjislacionin dhe shërbimet në mënyrë efektive”, shprehet ambasada.
Në njoftimin e saj, Ambasada e Britanisë së Madhe nënvizon se maxhoranca dhe opozita duhet të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve.
Njoftimi i Ambadës së Britanisë:
Ambasada Britanike në Tiranë shpreh shqetësimin lidhur me zhvillimet më të fundit në Parlamentin e Shqipërisë. Një parlament që funksionon dhe dialogu konstruktiv mes përfaqësuesve të zgjedhur janë thelbësorë për të garantuar legjislacionin dhe shërbimet në mënyrë efektive.
U bëjmë thirrje shumicës dhe opozitës të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve.
Ambasadori gjerman: Parlamenti të luajë rolin e tij kushtetues
Edhe ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner ka shprehur shqetësime në lidhje me tensionet në parlamentin e Shqipërisë. Ambasadori gjerman ka theksuar se është thelbësore që Kuvendi i Shqipërisë të ushtrojë kontrollin e ekzekutivit.
Ai tha se është shumë e rëndësishme që maxhoranca dhe opozita e vendit të bashkëpunojnë, me qëllim që të plotësojnë detyrat, për të cilat janë ngarkuar.
"Po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë. Qytetarët/et e Shqipërisë presin me të drejtë nga parlamenti i tyre që të jetë një forum, ku anëtarët e të cilit të mund të prezantojnë dhe diskutojnë hapur propozime të ndryshme politike. Ky shkëmbim duhet të zhvillohet në paqe dhe të drejtohet nga rregullat, që i ka përcaktuar vetë parlamenti.
Ndaj u bëj thirrje anëtarëve të shumicës dhe opozitës në Kuvend që të bashkëpunojnë, me qëllim që të garantojnë, që parlamenti të plotësojë rolin e tij thelbësor kushtetues: kontrollin e ekzekutivit dhe ligjvënien në interes të qytetarëve/eve të përfaqësuar përmes deputetëve", tha ambasadori gjerman.
Thirrja e ambasadës britanike si dhe ambasadorit gjerman vjen disa ditë, pasi opozita krijoi tensione në parlament, teksa u votua projekt-buxheti i 2024. Deputetët e opozitës ndezën flakadanë brenda parlamentit./Zëri.ai/