Aktualitet

Keir Starmer: Kush është favoriti për kryeministër britanik?

61-vjeçari që mund të bëhet kryeministri i ardhshëm i Britanisë së Madhe. 

k.m.
Keir Starmer: Kush është favoriti për kryeministër britanik?
Keir Starmer

LONDËR- Metodik, pro-evropian por pa ndonjë karizëm të veçantë, kështu përshkruhet nga kritikët e tij ish-avokati dhe lideri i laburistëve Keir Starmer, 61-vjeçari që mund të bëhet kryeministri i ardhshëm i Britanisë së Madhe. Nëse sondazhet, ku Partia Laburiste regjistron një epërsi prej më shumë se 20 pikësh ndaj konservatorëve në pushtet, vërtetohen edhe me vota Starmer do të jetë kryeministri i ri i Britanisë pas zgjedhjeve të parakohshme të thirrura nga Rishi Sunak për 4 korrik.

Lindur në Londër, Starmer studioi drejtësi në Universitetin e Leeds dhe kreu studime pasuniversitare për të Drejtën Civile në Universitetin e Oksfordit. Fillimisht ushtroi profesionin si avokat. Ai përfaqësoi dy aktivistë mjedisorë që kishin kundërshtuar zinxhirin e McDonald's dhe më pas u specializua në rastet e diskutueshme të të drejtave të njeriut.

Pasi hyri në parlament në vitin 2015, Starmer ishte i kujdesshëm që të mos humbiste ndjenjën pro-BE në parti, duke nxitur një referendum të dytë që mund të rrëzonte vendimin e Britanisë për t'u larguar nga BE-ja, pra Brexit. Në dhjetor 2019, pasi Corbyn dha dorëheqjen sepse laburistët pësuan humbjen më të keqe në zgjedhjet e përgjithshme në gati një shekull, Starmer tha se partia e tij nuk duhet të lëvizë përtej Qendrës.

Realizmi i tij i kujdesshëm shtrihet në politikën e jashtme, ku, ndryshe nga paraardhësi i tij i krahut të majtë, Starmer shpesh ndjek linjën e qeverisë. Edhe pse ai i ka përshkruar deklaratat e Donald Trump si "të neveritshme" , ai thekson se një qeveri laburiste do të punojë me këdo që fiton Shtëpinë e Bardhë në nëntor. 

Qëndrimi i Starmerit ndaj politikës së jashtme ka provokuar reagime nga baza e tij. Deklarata e tij pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor, në të cilën ai tha se Izraeli kishte të drejtë të ndërpresë energjinë elektrike dhe ujin në Gaza, shkaktoi një përçarje me votuesit myslimanë dhe pro-palestinezë. Ai më vonë bëri deklarata që korrigjuan të parën duke bërë thirrje për një armëpushim të qëndrueshëm.

Megjithatë, për momentin, sondazhet e opinionit duket se përputhen me mesazhin e tij të fushatës: Ka ardhur koha për ndryshim, pas 14 vitesh "kaos" konservatorësh.../ZËRI

Poll

MOS HUMB