
TIRANË- Të premten zhvillohet takimi i parë për Reformën Zgjedhore. Në Kryesinë e Kuvendit do të mblidhen palët për të nisur nga puna për Reformën Zgjedhore, por ende nuk dihet se kur do të zëvendësohet Grida Duma. Në vitin 2022 u caktuan anëtarët për Reformën, por asokohe pjesë e Kuvendit të Shqipërisë ishte edhe Grida Duma. Tashmë ajo e ka lënë mandatin si deputete e Partisë Demokratike, por emri i saj figuron ende pjesë e Komisionit. Ndaj ende nuk dihet si do të procedohet me zëvendësin e saj.
Ndërkohë që data për nisjen e punimeve nuk ishte caktuar ende, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në rrjetet e tij social i përcaktoi edhe prioritetet. Sipas tij, grupi do të duhet që të fokusohet tek: Listat e hapura, barazia e votës, vota e diasporës dhe votimi dhe numërimi elektronik.
POSTIMI I PLOTË I LULZIM BASHËS: Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë përsëris mirënjohjen time për mbështetjen që partnerët strategjikë të Shqipërisë, SHBA, BE dhe MB si edhe OSBE-ODIHR i japin procesit të reformës zgjedhore në Shqipëri. Falë edhe kësaj mbështetje, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Komisioni për Reformën Zgjedhore pritet të nisë punën së shpejti. Listat e hapura, barazia e votës, vota e diasporës dhe votimi dhe numërimi elektronik janë prioritetet e Partisë Demokratike të mishëruara në paketën e propozimeve ligjore të depozituara në Kuvendin e Shqipërisë. Koha për t'ju dhënë shqiptarëve një Kod Zgjedhor pa hile dhe pengesa për lirinë dhe barazinë e votës!
Pas tij, kryetarja e grupit parlamentar të PD-së së Bashës, Flutura Açka listoi propozimet e "huazuara" nga Dashamir Shehi, Kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. Sipas saj, propozimet e tij, janë të afërta me ato të Partise Demokratike.
PROPOZIMET E FLUTURA AKÇKËS:
1. Vendosja e sistemit Proporcional Kombëtar dhe heqja e rajoneve.
2. Hapja e plotë e listave që në parlament të shkojnë kandidatët që marrin më shumë vota.
3. Numërim elektronik ose numërues nga profesione të lira dhe qytetarë të pavarur, jo të caktuar nga partitë politike.
I paqartë është roli i Gazment Bardhi, i cili gjithashtu mban detyrën e kreut të grupit parlamentar. Nuk dihet nëse emri i tij do të propozoohet për të zëvendësuar atë të Grida Dumës në përbërjen e ekipit të opozitës. Ndërkohë që i pasigurtë është edhe vendi i demokratëve të tjerë. Kjo pasi, rregullorja e re e Kuvendit të Shqipërisë i cënon nga pjesëmarrja. Në një moment kur PD e Berisha dhe PD e Bashës, deri më tani të paktën janë ndarë 3 me 3, ky propocion mund të ndryshojë.
PËRBËRJA E KOMISIONIT PËR REFORMËN ZGJEDHORE DERI MË TANI (DUMA ENDE PJESË E GRUPIT):
PS
Damian Gjiknuri (bashkëkryetar)
Blerina Gjylameti (anëtar)
Klotilda Bushka (anëtar)
Toni Gogu (anëtar)
Ermonela Felaj (anëtar)
Arben Pëllumbi (anëtar)
Blendi Klosi (anëtar)
Klevis Xhoxhi (anëtar)
Gledis Çeliku (anëtar zëvendësues)
Jurgis Çyrbja (anëtar zëvendësues)
Xhemal Qefalia (anëtar zëvendësues)
PD
Enkelejd Alibeaj (bashkëkryetar)
Oerd Bylykbashi (anëtar)
Grida Duma (anëtar)
Dashnor Sula (anëtar)
Kreshnik Collaku (anëtar)
Lindita Metaliaj (anëtar)
Seladin Jakupllari (anëtar zëvendësues)
Ervin Salianji (anëtar zëvendësues)
Eralda Bano (anëtar zëvendësues)
Nëse opozita vazhdon me trazirat në Kuvend, nuk është e pamundur që të gjithë të përjashtohen për 2 muaj nga seancat plenare (ndryshim i bërë në rregulloren e re). Pra në këto kushte pjesëmarrja si e Bardhit, ashtu edhe e Bylykbashit, Metaliajt dhe Salinanjit është e pasigurtë. Nga kjo situatë do të përfitojë Basha, për të vendosur "besnikët" e tij në ulëset e tyre. Ky skenar vlen nëse mbështetësit e Berishë dhe të Bardhit nuk e ndryshojnë skemën e tensioneve që shkaktojnë në Kuvend./ZËRI