
TIRANË- Edlira Mara dhe Alba Ahmetaj, çifti i së njëjtës gjini, kurorëzuan në një ceremoni simbolike martesën e tyre, ku të pranishme kishin edhe vajzat 3-vjeçare. Kurorëzimi i tyre u bë nga dy pastorë britanikë, ndërsa ceremonia u mbat në ambientet e tarracës së Bashkisë së Tiranës. Ngjarja e djeshme ka pasur reagime që kanë vazhduar edhe sot. Të parët që reaguan janë përfaqësues të Kishës Katolike në Shqipëri. Sipas Kishës Katolike, martesa mes personave të së njëjtës gjini është e papranueshme dhe kategorikisht e ndaluar, duke shtuar se personi që ka kurorzuar çiftin nuk ka asnjë lidhje me Kishën katolike dhe nuk përfaqëson asgjë.

"Sikurse jemi njoftuar nëpërmjet mediave, dje në ambientet e Bashkisë Tiranë, është zhvilluar një ceremoni në dukje “martesore” mes personave të së njëjtës gjini. Në lidhje me këtë gjë Kisha katolike në Shqipëri dëshiron të sqarojë të gjithë besimtarët dhe mbarë opinionin publik që: a) Bazuar në Doktrinën, Traditën dhe Magjisterin e Kishës, martesa mes personave të së njëjtës gjini është e papranueshme dhe kategorikisht e ndaluar. b) Lejimi dhe publikimi i ceremonive të tilla në institucionet shtetërore janë të papranueshme për sa kohë martesat mes të njëjtës gjini nuk janë të aprovuara me ligj në vendin tonë. c) Personi në foto edhe pse paraqitet nga ana e jashtme me veshjen e një kleriku katolik, nuk ka asnjë lidhje me Kishën katolike dhe nuk përfaqëson asgjë tonën,"- thekson Kisha Katolike.
Ndërkohë që t'ju përgjigjur të gjitha pyetjeve Alba Ahmetaj, dhe dy pastorët kanë dalë në një konferencë për shtyp. Edhe pse ligji shqiptar nuk i lejon martesat e të njëjtës gjini, sërish Ahmetaj dhe Edlira Mara kanë dorëzuar në Gjendje Civile kërkesën për t'u njohur si të martuara. Por edhe pse kërkesa është bërë që në datën 17 maj, Gjendja Civile ka konfirmuar se nuk ka pasur asnjë lidhje martese mes dy vajzave të së njëjtës gjini. Ndërsa sa i përket përdorimit të godinës së Bashkisë, gjithashtu e kishin një sqarim.
"Bashkia është një institucion publik dhe çdo qytetar i Tiranës ka të drejtë ta përdorë. Në këtë rast vendosëm ta përdornim për të bërë lidhjen tonë në martesë dhe u bë nëpërmjet pastorëve që nuk janë laikë. Ne folëm në telefon dhe thamë se donim të martoheshim, dhamë emrin e Edës dhe kaq nuk patëm asnjë problem,"- u shpreh Alba. Nga një fjalë të shkurtër mbajtën edhe dy pastorët.
Andy Fitchet: Unë jam pastor në Britani dhe administroj dy kisha. Jam i kredituar nga Bashkimi Baptist Anglez dhe i autorizuar me kishën metodistë. Dje ishte një ceremoni shumë e bukur të celebrosh dashurinë midis dy njerëzve është gjëja më e bukur që mund të bësh. Të na kërkoje të vinim në Shqipëri është shumë speciale. Hera e parë në Shqipëri por shumë herë në Britaninë e Madhe.
Reagimin e parë politik, e ka bërë presidenti Ilir Meta. Kreu i Partisë së Lirisë, duket se shqetësimin e ka për vajzat e çiftit, duke mos i kursyer edhe komentet për atë që ka ndodhur.
"Si mund të mos e keqpërdornin edhe veladonin këta horra për të "legjitimuar" veprimet e tyre të paligjshme në shërbim të një agjende perverse. Këta janë jo vetëm bijtë e atyre që u vunë kazmën kishave, xhamive dhe teqeve, por edhe të atyre që u futën armë vetë në kisha dhe objekte kulti për t’i arrestuar, dënuar, internuar dhe pushkatuar pa gjyqe klerikët e ndritur. Këta janë ata që prej 11 vitesh jo vetëm kanë bllokuar kthimin e pronave të komuniteteve fetare por po jua tjetërsojnë çdo ditë për t’i grabitur. Kthimi i pronave të komuniteteve fetare është prioritet kryesor për Partinë e Lirisë dhe ne do t’u japim zgjidhje urgjente, njëherë e përgjithmonë, duke ua kthyer të gjitha pronat brenda 100 ditëve të para të qeverisjes. Si nuk ju vjen keq për atë fëmijë të pafajshëm që e keni traumatizuar!,"-shkruan Meta.
Sa i përket forcave të tjera politike, nuk ka pasur asnjë reagim as nga Partia Demokratike dhe as nga ajo Socialiste./ZËRI