TIRANË-Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shkelje në zbatimin e kontratave të punëve publike të Ministrisë së Bujqësisë dhe strukturave të saj, duke evidentuar miliona lekë të paguara për punime që nuk janë realizuar sipas volumeve të parashikuara. Sipas auditimit që përfshin periudhën 2019–2024, nga 30 kontrata të kontrolluara, në 29 prej tyre janë konstatuar diferenca mes volumeve të punimeve të likuiduara dhe atyre të kryera realisht në terren. Vetëm në një kontratë nuk janë evidentuar diferenca të tilla.
Vlera e punimeve të paguara, por të pakryera, arrin në 18.7 milionë lekë me TVSH. KLSH ka kërkuar që Ministria e Bujqësisë të marrë masa për rikuperimin e kësaj shume nga kompanitë sipërmarrëse. Ndërkohë, vlera totale e masave për shpërblim dëmi të evidentuara gjatë auditimit arrin në rreth 19.1 milionë lekë.

Problematikat janë konstatuar kryesisht në investimet infrastrukturore që lidhen me sistemet e ujitjes dhe kullimit, mbrojtjen nga lumenjtë dhe objektet e tjera nën administrimin e Ministrisë së Bujqësisë.
Raporti evidenton se vetëm gjatë vitit 2020, Ministria ka realizuar gjashtë procedura për punime ndërtimore me vlerë rreth 1.16 miliardë lekë pa TVSH. Në vitin 2021 janë realizuar 12 procedura me vlerë 762.7 milionë lekë, ndërsa gjatë vitit 2022 janë zhvilluar 23 procedura me vlerë 855.1 milionë lekë. Por problemet nuk kufizohen vetëm te pagesat për punime të parealizuara. Audituesit kanë identifikuar edhe pesë objekte të marra në dorëzim dhe të likuiduara, pavarësisht mangësive në dokumentacionin e ndërtimit.
Mes rasteve të evidentuara është objekti “Rrëshqitja Lekël”, për të cilin leja e ndërtimit nuk ishte zgjatur në përputhje me afatin e realizimit të punimeve.
Në rehabilitimin e objektit V-2 në Dropull është konstatuar mungesa e deklaratës paraprake të punimeve. Probleme janë evidentuar edhe në projektin e mbrojtjes nga lumi Vjosë në Kashishtë, si dhe në rehabilitimin e argjinaturës së Tonës, në segmentin Tarin–Perlat.
Një tjetër rast është Markata e Peshkut me Shumicë në Vlorë, për të cilën KLSH ka konstatuar mungesën e lejes së ndërtimit, megjithëse objekti ishte marrë në dorëzim dhe likuiduar.
Auditimi ka evidentuar gjithashtu mungesën e dokumenteve kryesore teknike në dosjet e zbatimit të kontratave. Këto dokumente janë të domosdoshme për të vërtetuar cilësinë e punimeve, materialet e përdorura dhe saktësinë e volumeve të certifikuara për pagesë.
Sipas KLSH-së, këto mangësi dobësojnë gjurmueshmërinë e procesit të mbikëqyrjes, kolaudimit dhe certifikimit të punimeve, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e mekanizmave të kontrollit për përdorimin e fondeve publike.
Në përfundim, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar rikuperimin e dëmit ekonomik nga sipërmarrësit përgjegjës për punimet e paguara dhe të pakryera, si dhe forcimin e kontrollit për të mos lejuar kolaudimin dhe marrjen në dorëzim të objekteve pa lejet dhe dokumentacionin teknik të kërkuar.
Gjetjet e auditimit evidentojnë mangësi të përsëritura në administrimin dhe mbikëqyrjen e investimeve publike në sektorin e bujqësisë, ku 29 nga 30 kontratat e kontrolluara kanë rezultuar me diferenca në volumet e punimeve./Ekofin