
TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur rikthimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Bib Ndreca. Ky i fundit ishte shkarkuar nga procesi i Vettingut, nga Komisionit i Pavarur i Kualifikimit. Por sot, KPA ka vendosur që të prishë vendimin e marrë më 18 janar 2021.
Ndreca është gjyqtari që ka shqyrtuar dosjen 339 dhe ka firmosur arrestimin e grupit të Avdylajve në Shijak.
Por pse u shkarkua gjyqtari?
Sipas BIRN, KPK vendosi më 18 janar 2021 të shkarkojë nga detyra gjyqtarin Bib Ndreca, pasi nuk u konsideruan bindëse shpjegimet subjektit për të ardhurat e vëllait, i cili i kishte dhënë një hua për blerjen e apartamentit. Por Ndreca u justifikua me faktin se huadhënësi (i vëllai) kishte pasur në arkën e shoqërisë së tij vlerën 5.8 milionë lekë që mbulonte huanë 5.5 milionë lekë.
Ndaj edhe sot, KPA vlerësoi se gjyqtari ka marrë gjithë hapat e nevojshëm për të përmbushur detyrimin e tij si subjekt deklarues duke i dhënë të drejtë në argumentin e tij se i vëllai ka pasur burime për ta ndihmuar me huanë që i kishte ofruar për apartamentin. Ndaj edhe trupa gjykuese vlerësoi se vendimi i KPK për Ndrecën nuk ishte i bazuar në shkelje konkrete duke e rikthyer në detyrën e tij si gjyqtar./ZËRI