
TIRANË- Ministria e Brendshme dhe ajo e Financave kanë bërë me dije këtë të mërkurë se 92 punonjës policie janë kualifikuar për të përfituar kredi me zero interes. Programi qeveritar parashikon që deri në vitin 2025, të jenë të paktën 900 familje përfituese të punonjësve të policisë në nevojë për strehim.
Balla bën me dije se nga 92 efektivë të kualifikuar, janë 16 punonjëse gra e vajza dhe 76 punonjës burra e djem. 78 punonjës janë të rolit bazë dhe 14 të tjerët me grada Nënkomisar deri një prej tyre, Komisar. Përfituesit janë të shpërndarë në gjitha drejtoritë.
“Kam kënaqësinë të ju informoj personalisht se si pjesë e angazhimit tonë për të mbështetur punonjësit e zbatimit të ligjit, e jo vetëm, Qeveria dhe Ministria e Brendshme ka iniciuar një program disa vjeçar, që ofron kredi për shtëpi me interes zero për efektivët e policisë, që përmbushin kriteret e kualifikimit. Nisma synon të ofrojë ndihmë financiare për ata që i shërbejnë vendit dhe sakrifikojnë jo pak për të. Ne besojmë se ky program do të ndihmojë në lehtësimin e barrës financiare dhe do të përmirësojë cilësinë e jetës për oficerët e Policië së Shtetit dhe familjet e tyre”, thuhet në letrën e Ballës të siguruar nga ZËRI, drejtuar efektivëve të Policisë që janë përfitues.
Mes punonjësve që plotësuan kriteret për të përfituar kredi për banesë është edhe Inspektori Redin Caushaj, punonjësi i policisë që u plagos me thikë. Edhe pse nuk ishte në detyrë ai ndërhyri për të shuar një konflikt fizik mes dy personave në fshatin Pilur të Himarës, në gusht të këtij viti./ZËRI